Intervistë/ Ramadani: Na duhet të kemi president, nuk na duhen zgjedhje
-Kosova është zhytur në amulli politike. Arritja e konsensusit për zgjedhjen e presidentit nuk duhet se është afër
Njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se Kosova është zhytur në amulli politike. Ramadani në këtë intervistë për “Epokën e re’, ka thënë se në skenën politike ka humbur të menduarit strategjik për qëllime të vogla të politikës ditore.
Në këtë kontekst të zhvillimeve politike aktuale, Ramadani se Kosovës i duhet një president i ri dhe jo zgjedhje të reja.
Pavarësisht domosdoshmërisë që Kosova të ketë president të ri, Ramadani ka thënë se askush në skenën politike nuk i beson njeri-tjetrit. “Pothuajse secili e secila është pështjelluar në taktika elektorale e personale dhe kanë kontribuar për të thelluar mosbesimin e gjithanshëm. Rrjedhimisht, një situatë e tillë e dërgon Kosovë sërish në zgjedhje parlamentare dhe kjo është në kundërshtim me interesin kombëtar dhe vullnetin qytetar. Arritja e konsensusit për zgjedhjen e presidentit nuk duhet se është afër”, ka deklaruar Ramadani.
Sa i përket përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, Ramadani ka vlerësuar se një gjë e tillë u takon partive të mëdha parlamentare. “Pra, partitë më të mëdha kanë faj më shumë në këtë amulli të Kosovës. Ato që kanë fuqi përcaktuese, pastaj, janë fajtoret kryesore. Kështu, duke qenë në vazhdimësi e qeverisur nga njerëzit që janë ushtrues detyre, Kosova është kthyer në njëlloj ushtrues detyre shteti”, është shprehur Ramadani.
Krahas kësaj, Ramadani ka kritikuar edhe opozitën e cila sipas tij nuk është e strukturuar. “Në vend se të ndërtojnë qasje të përbashkët, partitë jopushtetare kanë vazhduar të shohin vetëm veten në mënyrë të ndarë dhe nuk kanë dhënë opsion tjetër qeverisës e institucional. Në periudhën e fundit, kanë ndodhur disa takime të ndara midis LV-së dhe PDK-së e LDK-së për çështjen e presidentit. Uroj që këto takime të nxjerrin ‘tymin e bardhë’ më në fund, me qëllimin që Kosova të mos shkojë edhe njëherë në zgjedhje”, është deklaruar Ramadani.
Më tutje, Ramadani ka komentuar edhe moskandidimin e Vjosa Osmani për presidente nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka thënë se moskandidimi i Osmanit për presidente nuk ka qenë befasi.
“Të paktën jo për përcjellësit aktiv të zhvillimeve politike e institucionale. Z. Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ka të drejtën e plotë për të kandiduar dikë për president. Normalisht që më e mira do të ishte që presidenti i ri të jetë konsensual dhe t’i përfaqësojë sa më gjerësisht partitë politike dhe qytetarët. Ajo që kemi parë është se z. Kurti ka vendosur në muajin mars të përzgjedh shërbyesin e ri në postin e Presidentin, duke moskandiduar shërbyesen e viteve të kaluara. Dhe, unë këtu i vendos pikë temës së këtillë. Pra, z. Kurti ka ndërruar emrin e shërbyesit të tij në postin e presidentit, por nuk ka ndërruar konceptin apo qëllimin politik”, ka thënë Ramadani.
Në rast se vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të mozgjedhjes se presidentit, Ramadani, ka thënë se është vështirë të pretendohet saktë ndikimi që Osmani mund të ketë në elektorat, nëse ajo merr pjesë. “Unë do të doja që zonja Osmani të jetë pjesë e një fronti më të madh politik dhe jo e vetme apo jo vetëm me një parti. Në një rast krijimi të një fronti politik atëherë kjo mund të shumëfishojë mbështetjen elektorale”, ka theksuar Ramadani.
Në këtë intervistë, Ramadani ka folur edhe për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai ka thënë se beson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të shpallen të pafajshëm. “Besoj plotësisht se kjo do të ndodh për udhëheqësit e luftës çlirimtare, sepse lufta çlirimtare ka qenë edhe e drejtë, edhe e pastër. Nuk është vetëm çështje e imazhit të Kosovës nëpër botë, por është çështje direkte përmbajtjesore e të vërtetës së Kosovës. Unë nuk kam parë që Prokuroria e Specializuar ka pasur rast të vërtetë në gjykatë. Kështu, as nuk është dashur të akuzohen. Jam i bindur se lirimi i të akuzuarve në Hagë do të paraqes një moment kthese pozitive për Kosovën, historinë dhe të vërtetën tonë, sikurse edhe të kthejë besimin publik për proceset”, ka thënë Ramadani.
“Epoka e re”: Z. Ramadani si jeni duke i parë zhvillimet e përgjithshme në Kosovë duke iu referuar edhe ngjarjeve globale?
Ramadani: Kosova është zhytur në amulli politike. Krejtësisht e pavëmendshme për rrethanat globale të sigurisë dhe krejtësisht pa qartësi për pozicionin e saj. Faktikisht, këtu ka humbur të menduarit strategjik dhe e tëra është kthyer në taktika për qëllime të vogla të politikës ditore të brendshme.Mungesa e stabilitetit politik e institucional tash e gati dy vjet, mungesa e qasjes proaktive zhvillimore, mungesa e avancimit në modernizimin e sektorit të sigurisë dhe mungesa e një platformë të përbashkët politike për tema të interesit kombëtar realisht është duke cenuar funksionimin e shtetit. E tërë kjo, fatkeqësisht, po ndodh tashmë kur bota nuk është e sigurt. Pra, bota ka kaluar nga niveli i të qenit e trazuar në nivel të pasigurisë. Dhe, kjo nuk lidhet vetëm me aspektin e sigurisë ekonomike, por në mënyrë direkte me pasigurinë kombëtare të shteteve në kuadër të pasigurisë globale. Kështu, Kosova as nuk e ka të qartë se cilat janë interesat vitale shtetërore të saj dhe as nuk ka program për të ndërtuar qëndrueshmërinë dhe për të garantuar sigurinë kombëtare. Gjendja është kritike.
“Epoka e re”: A jeni duke parë vullnet politik për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit?
Ramadani: Na duhet të kemi president, nuk na duhen zgjedhje! Kjo do duhej të ishte fjalia udhëheqëse për partitë politike në këtë situatë. Sikur ky të ishte qëllimi, atëherë një manual veprimesh do të ndërtohej shumë lehtë dhe shumë thjesht. Deri më tash as kjo fjali nuk ekziston dhe as ky manual nuk është formësuar. Askush askujt nuk i beson sot në politikën kosovare. Pothuajse secili e secila është pshtjelluar në taktika elektorale e personale dhe kanë kontribuar për të thelluar mosbesimin e gjithanshëm. Rrjedhimisht, një situatë e tillë e dërgon Kosovë sërish në zgjedhje parlamentare dhe kjo është në kundërshtim me interesin kombëtar dhe vullnetin qytetar. Arritja e konsensusit për zgjedhjen e presidentit nuk duhet se është afër.
“Epoka e re”: Kush është fajtor sipas jush për zvarritjen e procesit për zgjedhjen e presidentit?
Ramadani: Në secilën situatë, përgjegjësia matet me kapacitetin. Pra, partitë më të mëdha kanë faj më shumë në këtë amulli të Kosovës. Ato që kanë fuqi përcaktuese, pastaj, janë fajtoret kryesore. Kështu, duke qenë në vazhdimësi e qeverisur nga njerëzit që janë ushtrues detyre, Kosova është kthyer në njëlloj ushtrues detyre shteti. Partitë së pari janë jodemokratike dhe ato marrin vendime në nivele individuale ose në rrethe tepër të ngushta. Rrjedhimisht, nuk përfaqësojnë as dëshirën e interesat e elektoratit të vet.
“Epoka e re”: Z. Ramadani si jeni duke e parë sjelljen e opozitës në funksion të zgjedhjes së shefit të ri të shtetit?Ramadani: Në Kosovë nuk ka opozitë të strukturuar. Ka parti që nuk janë në pushtet, por ato assesi nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe as qëllimet e përbashkëta. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partitë jopushtetare nuk kanë arritur të ndërtojnë koncept e platformë të përbashkët. Kështu, nuk i kanë dhënë qytetarëve një alternativë, nuk i kanë dhënë qytetarëve besimin se ato mund të ndërrojnë pushtetin tashmë shumëvjeçar të LV-së. Në vend se të ndërtojnë qasje të përbashkët, partitë jopushtetare kanë vazhduar të shohin vetëm veten në mënyrë të ndarë dhe nuk kanë dhënë opsion tjetër qeverisës e institucional. Në periudhën e fundit, kanë ndodhur disa takime të ndara midis LV-së dhe PDK-së e LDK-së për çështjen e Presidentit. Uroj që këto takime të nxjerrin ‘tymin e bardhë’ më në fund, me qëllimin që Kosova të mos shkojë edhe njëherë në zgjedhje. Pasi që këto parti jopushtetare kanë filluar diskutimet me LV-në për Presidentin, besoj se do të ishte mirë që këto negociata të dalin ë suksesshme. Në të kundërtën, besimi qytetar do të tronditej edhe më shumë dhe kjo do të çon tek një apati politike qytetare.
“Epoka e re”: Pse sipas jush, Kurti nuk e kandidoi Osmanin për presidente?
Ramadani: Mendoj që nuk ishte befasi. Të paktën jo për përcjellësit aktiv të zhvillimeve politike e institucionale. Z. Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ka të drejtën e plotë për të kandiduar dikë për president. Normalisht që më e mira do të ishte që Presidenti i ri të jetë konsensual dhe t’i përfaqësojë sa më gjerësisht partitë politike dhe qytetarët. Ajo që kemi parë është se z. Kurti ka vendosur në muajin mars të përzgjedh shërbyesin e ri në postin e Presidentin, duke moskandiduar shërbyesen e viteve të kaluara. Dhe, unë këtu i vendos pikë temës së këtillë. Pra, z. Kurti ka ndërruar emrin e shërbyesit të tij në postin e presidentit, por nuk ka ndrruar konceptin apo qëllimin politik.
“Epoka e re”: Sipas jush a është Kosova më afër zgjedhjes së presidentit të ri apo shkuarjes në zgjedhje të reja?Ramadani: Momentalisht, Kosova po shkon në zgjedhje. Duket se e tëra është kthyer në njëlloj drame, sepse duket se politikanët kryesorë po duan që Kosova të mbetet në situata dramatike vazhdimisht. Por, një gjë e besoj: nëse partitë politike nuk riorganizohen, qytetarët do të riorganizohen! Pra, ka shumë qytetarë, aktivistë, kontribues dhe të rinj që janë të gatshëm të angazhohen për të ndërtuar diçka të re, për të formësuar një platformë të re që do të vjen në shprehje nëse partitë politike aktuale nuk riorganizojnë veten. Në një rast të tillë, një lëvizje e re popullore politike do të formësohet në periudhën e ardhshme dhe do të lë në histori një pjesë të madhe të partive politike aktuale.
“Epoka e re”: Në rast të shkuarjes në zgjedhje, çfarë rezultati mund të prodhojnë ato?
Ramadani: Nuk pres ndryshim të madh të rezultatit. Edhe nëse Kosova shkon në zgjedhje në qershor apo korrik 2026, sërish do të duhet të ketë negociata dhe konsensus për presidentin e ri. Nuk ka gjasa që kjo çështje të zgjidhet vetvetiu. Partitë sërish do të duhej të gjejnë një kandidat sa më konsensual. Atëherë, pse nuk e bëjnë tash? Pse duhet shtyrë diçka për më vonë kur mund të arrihet tash? Këto pyetje mund të marrin përgjigje vetëm nëse kjo ndërlidhet me interesa personale apo grupore. Por, assesi për interes të Kosovës.
“Epoka e re”: Çfarë ndikimi mund të ketë Osmani në rezultatin zgjedhor në rast se do të mbahen zgjedhjet e reja?Ramadani: është vështirë të pretendohet saktë ndikimi që zonja Osmani mund të ketë në mbështetjen elektorale, nëse ajo merr pjesë. Këtu janë dy faktorë kryesorë që do të mund ta përcaktojnë ndikimin e saj.Së pari, sa është e cenueshme ajo elektoralisht nëse përballet me kundërshtarë real politik? Sepse, zonja Osmani nuk ka pasur asnjëherë ballafaqim politik në fushatë me kundërshtar. Ajo ka qenë e mbështetur nga shoqëria civile, mediat dhe LV pothuajse vazhdimisht. Prandaj, mundësia që ajo të mos ketë të njëjtën situatë në fushatë do të mund të ndikojë në performancën elektorale. Së dyti, nëse do të merr pjesë në zgjedhje si parti në vete apo do të bëjë koalicione. Unë do të doja që zonja Osmani të jetë pjesë e një fronti më të madh politik dhe jo e vetme apo jo vetëm me një parti. Në një rast krijimi të një fronti politik atëherë kjo mund të shumëfishojë mbështetjen elektorale.
“Epoka e re”: Z. Ramadani, Kosova dhe shqiptarët janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Speciale për liderët e UÇK-së. Cili sipas jush do të jetë epilogu dhe çfarë ndikimi mund të ketë vendimi i Speciales për proceset e ardhshme në Kosovë dhe jo vetëm?
Ramadani: Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues. Besoj plotësisht se kjo do të ndodh për udhëheqësit e luftës çlirimtare, sepse lufta çlirimtare ka qenë edhe e drejtë, edhe e pastër. Nuk është vetëm çështje e imazhit të Kosovës nëpër botë, por është çështje direkte përmbajtjesore e të vërtetës së Kosovës. Unë nuk kam parë që Prokuroria e Specializuar ka pasur rast të vërtetë në gjykatë. Kështu, as nuk është dashur të akuzohen. Jam i bindur se lirimi i të akuzuarve në Hagë do të paraqes një moment kthese pozitive për Kosovën, historinë dhe të vërtetën tonë, sikurse edhe të kthejë besimin publik për proceset.
Intervistoi: Lirim GECI



