Shoqata e Ndërtimtarëve: Pasiguria politike po rrezikon zhvillimin e sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për ndikimin e pasigurisë politike në sektorin e ndërtimtarisë dhe stabilitetin makroekonomik të vendit, raporton GazetaBlic.
Në një kohë kur ekonomia e Kosovës ka nevojë për reforma dhe investime të qëndrueshme, ngërçi institucional po pengon zhvillimin dhe realizimin e projekteve të rëndësishme.
Shoqata kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjet institucionale, duke i bërë thirrje forcave politike të shmangin një cikël të ri zgjedhjesh dhe të fokusohen në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
E plotë:
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për zgjatjen e pasigurisë politike dhe ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në stabilitetin makroekonomik dhe klimën e të bërit biznes në vend, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Në një moment kritik, kur ekonomia e Kosovës ka nevojë urgjente për reforma strukturore, zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rritje të investimeve kapitale, vendi po përballet me një ngërç institucional që po pengon vendimmarrjen strategjike dhe realizimin e projekteve zhvillimore.
Sektori i ndërtimtarisë, si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, është drejtpërdrejt i ndikuar nga mungesa e stabilitetit politik, duke reflektuar në ngadalësimin e investimeve, shtyrjen e projekteve dhe rritjen e pasigurisë për investitorët dhe kompanitë vendore.
I bëjmë thirrje spektrit politik që të gjejë një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjet institucionale, në zgjedhjen e Presidentit ,duke shmangur vendin nga një cikël i ri zgjedhjesh të parakohshme. Përvoja ka dëshmuar se paqëndrueshmëria politike prodhon kosto të drejtpërdrejta ekonomike dhe dëmton besimin në institucionet e vendit.
Treguesit aktualë ekonomikë, përfshirë rënien e investimeve të huaja direkte, rritjen e kostos së materialeve ndërtimore, presionet inflacionare dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, theksojnë nevojën urgjente për stabilitet dhe orientim të qartë zhvillimor.
Në këto rrethana, kërkojmë:
– vendimmarrje të shpejtë dhe të qëndrueshme institucionale,
– politika fiskale të përgjegjshme dhe mbështetëse për sektorin e ndërtimtarisë,
– rritje të investimeve kapitale në infrastrukturë dhe projekte zhvillimore,
– dhe krijimin e një klime të parashikueshme për bizneset dhe investitorët.
– Çdo devijim nga këto prioritete, përfshirë edhe shtyrjen drejt zgjedhjeve të reja, rrezikon të thellojë pasigurinë ekonomike dhe të dëmtojë zhvillimin afatgjatë të vendit.
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës u bën thirrje të gjitha forcave politike që të veprojnë me përgjegjësi të lartë shtetërore, duke vendosur stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik mbi interesat afatshkurtra politike.
Kosova ka nevojë për stabilitet politik për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe urban.



