Mbahet punëtoria e Gjykatës Supreme mbi çështjet civile, penale dhe praktikën gjyqësore
Ka filluar punëtoria e Gjykatës Supreme me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të saj, me fokus në avancimin e praktikës gjyqësore dhe forcimin e konsistencës në vendimmarrje.
Një ndër pikat kryesore të agjendës është draftimi i Rregullores së Punës së Gjykatës Supreme, me qëllim përmirësimin e funksionimit të brendshëm dhe rritjen e efikasitetit.
Në vijim të punëtorisë pritet të diskutohet mbi çështje civile, përfshirë draftin e mendimit juridik për lejimin e udhëtimit të fëmijëve, çështjet e pasaportave dhe pëlqimit, si dhe kompetencën gjyqësore në rastet me element të huaj.
Diskutimet mbi çështjet penale do të kenë theks të veçantë në paraburgimet dhe praktikën gjyqësore përkatëse.
Gjyqtarët e Gjykatës Supreme do të shqyrtojnë dhe analizojnë kërkesat për dhënie të mendimeve juridike në çështje civile dhe penale.
Punëtoria dyditore, pritet të përmbyllet me diskutime mbi praktikën gjyqësore dhe unifikimin e saj, me qëllim sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit.



