Milani nuk bindet nga Füllkrugu
Raportimet e së martës tregojnë se Milani nuk do të aktivizojë opsionin e blerjes për sulmuesin qendror Niclas Füllkrug, çka do të thotë se reprezentuesi gjerman pritet të rikthehet te West Ham Unitedi në fund të sezonit 2025/26.
Füllkrugu iu bashkua Milanit në fillim të afatit kalimtar të janarit në formë huazimi me opsion blerjeje, që besohet të jetë rreth 5 milionë euro.
Milani në atë kohë nuk kishte një sulmues tipik qendre, pasi Santiago Giménezi ishte i dëmtuar dhe trajneri Massimiliano Allegri shpesh përdorte kombinime me Rafael Leãon, Christian Pulisicin ose Christopher Nkunkun në majë të sulmit.
Që nga transferimi më 2 janar, sulmuesi gjerman ka zhvilluar 16 ndeshje për “Rossonerët”, por vetëm tri herë ka qenë titullar.
Goli i tij i vetëm këtë sezon, si për Milanin ashtu edhe për West Hamin, erdhi në fitoren 1-0 në Serie A ndaj Lecces më 18 janar.
Sipas raportimeve të fundit, kjo paraqitje nuk ka qenë e mjaftueshme për të bindur Milanin që të shpenzojë 5 milionë euro për ta bërë transferimin e tij të përhershëm gjatë verës.
Gazetari Fabrizio Romano raporton se Füllkrugu do të rikthehet te West Hami në fund të sezonit 2025/26, ndërsa klubi anglez më pas pritet të kërkojë ta shesë sërish.



