Së shpejti fillon trajnimi i 431 kadetëve policorë
Policia e Kosovës ka shpallur rezultatet përfundimtare të verifikimit të kandidatëve që kanë konkurruar për zyrtarë policorë, në konkursin e hapur më 17 qershor 2025.
Ky konkurs ka zgjuar interesim të madh tek të rinjtë, të cilët kanë kaluar nëpër disa faza testimi, përfshirë testin me shkrim, intervistën me gojë, testin e inteligjencës, kontrollin shëndetësor dhe atë fizik. Në fund, kandidatët i janë nënshtruar edhe verifikimit të së kaluarës së tyre dhe asaj familjare.
Nga numri i madh i aplikantëve, 431 prej tyre kanë arritur t’i përfundojnë me sukses të gjitha fazat e testimit dhe do të vijojnë trajnimin shtatëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Me këtë gjeneratë të re, Policia e Kosovës synon të rrisë përqindjen e moshës së re në radhët e saj, duke kontribuar në një shërbim më dinamik dhe më efikas për qytetarët.



