Haradinaj: Shkëlzeni, Luani, Fatmiri dhe Hasimi u bënë mburojë për popull dhe atdhe
Bashkëluftëtarët dhe familjarët kanë përkujtuar të enjten dëshmorët Shkëlzen Haradinaj, Luan e Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj në 27-vjetorin e rënies së tyre në betejën e Maznikut.
Po ashtu është përkujtuar edhe luftëtari i lirisë, Enver Haradinaj në 21-vjetorin e vrasjes së tij.
Në aktivitetet në nderim të të rënëve për liri, ka marrë pjesë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili është edhe vëllai i Shkëlzenit dhe Enverit.
Haradinaj ka thënë se Shkëlzen Haradinaj, Luan e Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj ishin bërë mburojë për popull dhe atdhe.
“Në Gllogjan e Maznik, në nder të 27-vjetorit të rënies së heronjve; Luan e Fatmir Nimanaj, Shkëlzen Haradinaj dhe Hasim Halilaj, si dhe 21-vjetorit të luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarë e miq, zhvilluam homazhe dhe morëm pjesë në ‘Marshin e Lirisë’, nga Kulla e Dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik, te lapidari i heronjve. Luftëtarë sypatrembur, ata u bënë mburojë për popull dhe atdhe. Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes së të cilës i qëndruan gjithmonë gatitu. Pushofshin të qetë në lavdi të përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.



