Policia e Kosovës modernizon kapacitetet për reagim ndaj rreziqeve komplekse
Sot, është realizuar ceremonia përmbyllëse e trajnimit të avancuar “Rural Enforcement Operations (REO)”, i organizuar nga Programi për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA) i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.
Në këtë aktivitet trajnues gjashtë javor morën pjesë 24 pjesëmarrës nga Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), njësia më elitare e Policisë së Kosovës, ndërsa trajnimi u zhvillua nga 8 instruktorë ndërkombëtarë të specializuar.
Programi u realizua me sukses të lartë, duke avancuar dhe transformuar kapacitetet profesionale dhe operacionale për reagim ndaj situatave me rrezikshmëri ekstreme dhe komplekse.
Trajnimi përfshiu komponentë të avancuar të operacioneve taktike në mjedise rurale, reagimin ndaj kërcënimeve terroriste, vendimmarrjen taktike dhe koordinimin në kushte reale operative, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe efektivitetin operacional të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ndau certifikata mirënjohëse për 8 instruktorët e angazhuar dhe për përfaqësuesin e Zyrës Rajonale të Sigurisë (RSO), në shenjë falënderimi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin profesional.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Programin ATA dhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik në modernizimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Ky bashkëpunim përfaqëson një model të qëndrueshëm dhe të suksesshëm për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme.



