Guvernatori Ismaili merr pjesë në takimin e FMN‑së për themelimin e SEETAC

18 prill 2026 | 16:56

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, morën pjesë në takimin e nivelit të lartë të organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të Takimeve Pranverore, kushtuar iniciativës për themelimin e Qendrës për Asistencë Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC).

Gjatë takimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar informoi për vendimin për themelimin e kësaj qendre rajonale dhe përzgjedhjen e Romës si vend pritës, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një platforme të përhershme për zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e politikëbërjes në vendet e rajonit. U vlerësua se SEETAC do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit makroekonomik, qëndrueshmërisë institucionale dhe përparimit drejt integrimit evropian.

Në këtë kuadër, u prezantua orientimi strategjik i SEETAC, i cili synon të mbështesë vendet e Evropës Juglindore në përmirësimin e menaxhimit makroekonomik, forcimin e institucioneve dhe rritjen e kapaciteteve analitike dhe rregullatore. Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave të përbashkëta rajonale, përfshirë qeverisjen, sektorin financiar, politikat fiskale dhe cilësinë e statistikave makroekonomike, si dhe nevojës për adresimin e rreziqeve që lidhen me proceset digjitale dhe sigurinë financiare.

Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e asistencës teknike të koordinuar dhe bashkëpunimit rajonal për forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave strukturore, duke nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për iniciativa që mbështesin përmbushjen e standardeve evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në përfundim, u theksua se në periudhën në vijim fokusi do të jetë në konsolidimin e kornizës organizative të SEETAC dhe në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendeve pjesëmarrëse dhe partnerëve zhvillimorë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bujar Dugolli Sot mora pjesë në përurimin e romanit…