Haradinaj: Gjakova mbetet bastion i Aleancës, Flamur Fetahaj zgjidhet kryetar i Degës

19 prill 2026 | 19:51

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar Gjakovën si qytet të dijes, kulturës dhe atdhedashurisë, duke theksuar se qytetarët e saj për shumë mandate ia kanë besuar Aleancës udhëheqjen e komunës.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Haradinaj ka theksuar se nën udhëheqjen e kryetarit Ardian Gjini, Gjakova ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet me punë, përkushtim dhe rezultate konkrete.

Sipas tij, investimet e shumta, projektet transformuese dhe qasja e drejtë ndaj qytetarëve e kanë shndërruar Gjakovën në model të mirëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Haradinaj bëri të ditur se kjo mbështetje u konfirmua edhe në Kuvendin Zgjedhor të X-të të Degës së AAK-së në Gjakovë, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese.

Në këtë kuvend, për kryetar të Degës u zgjodh Flamur Fetahaj, aktualisht nënkryetar i komunës, për të cilin Haradinaj tha se është një kuadër i dëshmuar dhe i përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për kontributin e deritanishëm të Ardian Gjinit dhe të strukturave të degës, duke vlerësuar rolin e tyre në forcimin e Aleancës si forca e parë politike në Gjakovë.

Në fund, Haradinaj i uroi kryetarit të sapozgjedhur dhe strukturave të reja suksese në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të marra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar…