Qeveria miraton përbërjen e re të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Arian Gashi emërohet kryetar

20 prill 2026 | 15:16

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur sot, ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky vendim vjen si rezultat i nevojës për të adresuar një sërë çështjesh të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, të cilat kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.

“Numri i madh i ankesave që ka pranuar Ministria e Drejtësisë tregon nevojën për më shumë konsistencë në praktikat e vlerësimit, zbatim më të unifikuar dhe adekuat të programit të provimit dhe të dispozitave përkatëse ligjore, si dhe nivel më të lartë transparence dhe profesionalizmi në arsyetimin e rezultateve”, tha Ministrja Gërvalla.

Në këtë drejtim, me qëllim të funksionalizimit të një komisioni të ri me integritet të lartë profesional, Ministrja Gërvalla ka propozuar përbërjen e re si në vijim:

Arian Gashi – kryetar i Komisionit, ndërsa z. Ersan Qavolli – zëvendësanëtar dhe pyetës/zëvendëspyetës në lëndën e së drejtës penale, materiale dhe procedurale;

Për lëndën: e drejta civile, materiale dhe procedurale – z. Lumni Sallauka, zëvendëskryetar, ndërsa z. Arsim Hamzaj, zëvendësanëtar;

Për lëndën: e drejta kushtetuese dhe bazat e sistemit gjyqësor – znj. Anita Prenaj -Krasniqi, anëtare, dhe znj. Suada Rama -Hamza, zëvendësanëtare;

Për lëndën: e drejta tregtare, e drejta e punës dhe e drejta administrative – z. Burim Shala, anëtar, ndërsa z. Nehat Qelaj, zëvendësanëtar;

Për lëndën: e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e Bashkimit Evropian – z. Bujar Muzaqi, anëtar, dhe znj. Rrezarta Lleshaj, zëvendësanëtare.

Në fund, Ministrja Gërvalla kërkoi miratimin e këtij propozimi me qëllim forcimin e meritokracisë, kredibilitetit dhe transparencës në proces, si dhe procedimin e përbërjes së re të Komisionit për miratim në Kuvend, në përputhje me ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mustafa i PDK-së: E kemi kuptuar me kohë lojën e…