Qartë dhe prerë, kontributi i PDK-së, në procesin e zgjedhjes së presidentit është përmbyllur
Shkruan: Hisen Berisha
Në një moment kritik për funksionimin kushtetues dhe stabilitetin institucional të Kosovës, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës për procesin e zgjedhjes së Presidentit nuk është thjesht një deklarim politik, por një vijë e qartë ndarëse mes përgjegjësisë shtetërore dhe aventurizmit të rrezikshëm politik të Albin Kurtit dhe LVV, që po e dominon vendin.
PDK e ka përmbushur detyrimin e saj, pa kalkulime, pa kushte, pa pazare politike.
Ka ofruar zgjidhje, ka mbështetur konsensusin dhe ka dëshmuar se stabiliteti i shtetit është mbi çdo interes partiak. Refuzimi i kësaj qasjeje nga pushteti aktual nuk është vetëm papërgjegjësi politike, por akt i qëllimshëm i LVV dhe Kurtit për ta mbajtur vendin në krizë të vazhdueshme institucionale.
Çdo mbështetje, e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për qeverisjen aktuale dhe për këtë logjikë bllokuese, është kontribut në zhbërjen kushtetuese dhe politike të Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik.
Nuk ka më hapësirë për neutralitet apo ambiguitet, ose je në mbrojtje të rendit kushtetues, ose je pjesë e degradimit të tij.
Më tej, çdo koketim me këtë pushtet nënkupton pajtim të heshtur me një narrativë të rrezikshme dhe inkriminuese ndaj shtetit, ndaj historisë së tij dhe ndaj rolit të PDK-së dhe liderëve të saj në ndërtimin e Kosovës.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi politike, është përpjekje për rishkrim të së vërtetës dhe delegjitimim të vetë themelit të shtetit.
Në këtë kontekst, qëndrimi i PDK-së është i qartë, i prerë dhe pa kthim se, “kontributi në procesin e zgjedhjes së Presidentit është përmbyllur”, përgjegjësia tashmë është tërësisht mbi ata që e kanë kapur procesin dhe po e mbajnë peng shtetin.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për partneritet të qëndrueshëm me aleatët dhe për një drejtim të përgjegjshëm politik, jo për eksperimente që e çojnë vendin drejt izolimit dhe destabilizimit.
(Në vijim, Deklarata e plotë e Këshillit Drejtues të PDK-së)
DEKLARATË POLITIKE
• Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, sot, më datë 20 prill, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet partiake dhe politike, procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. PDK, si subjekt politik shtetformues dhe shtetndërtues, riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtje të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe funksionimit demokratik të shtetit.
• PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror.
• PDK thekson se vendi nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime politike dhe interesa të ngushta partiake. Vazhdimi i kësaj gjendjeje, i shkaktuar nga pushteti aktual, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe institucional në Kosovë.
• PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik.
Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.
• Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.
• Partia Demokratike e Kosovës rithekson orientimin e saj të qartë euroatlantik dhe kërkon forcim të menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët tanë, si garanci për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.
• Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës. Për këtë arsye, kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët.
• Po ashtu, Këshilli Drejtues rithekson se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme, përfshirjen e potencialit të ri politik dhe ndërtimin e një alternative të avancuar qeverisëse.
• Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, forcë konstruktive politike dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.
Këshilli Drejtues
Partia Demokratike e Kosovës
Prishtinë, 20 prill 2026



