Nesër përcaktohen finalistët e Kupës së Kosovës

21 prill 2026 | 14:11

Nesër (e mërkurë) do të përcaktohen edhe dy skuadrat që do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll. Pas ndeshjeve të para gjysmëfinale, të mërkurën nga orën 15:00, do të zhvillohen duelet e kthimit që do të luhen në Ferizaj dhe Klinë.

Skuadrat vendase janë në avantazh ndaj skuadrave mysafire, të cilat i mposhtën në duelet e para që u zhvilluan javë më parë. Ferizaj që ka triumfuar 2:1 në Podujevë, tani e pret Llapin, ekip që kërkon përmbysjen dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës.

Si Ferizaj ashtu edhe Llapi janë duke luftuar për mbijetesë në Superligë por duan triumfin në Kupë për të siguruar daljen në garat evropiane sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, në krye të Ferizajt në këtë ndeshje do të debutojë edhe trajneri i rikthyer Arsim Abazi, i cili u zyrtarizuar të hënën te skuadra vendase.

Ndërkohë, Ballkani i Suharekës ka mision tejet të vështirë në ndeshjen e kthimit kundër Dukagjinit, ekip që ndeshjen e parë e fitoi me rezultatin e thellë 3:0. Ballkani nuk ka treguar formë të mirë as në kampionat në xhirot e fundit, ndërsa Dukagjini në këtë përballje futet pas fitores 3:2 në udhëtim kundër Gjilanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur shqiptare, Beatrix Ramosaj është tejet aktive në…