SYZIFI ËSHTË GJALLË PËR TË DËSHMUAR
Saime Isufi
Ka libra që lexohe, por ka edhe libra që përjetohen.
“Revolta e Syzifit” e Bardhyl Mahmutit është një nga ato që nuk të lënë rehat deri në faqen e fundit.
Romanin e lexova me një frymë. Çdi rresht mbante peshë të rëndë, peshën e dhimbjes, të kujtesës dhe të së vërtetës që nuk duhet harruar kurrë. Në promovimin në Drenas, ajo që ndjeva nuk ishte thjesht respekt për një vepër letrare, por një përballje e drejtpërdrejtë me tragjedinë njerëzore që ajo rrëfen.
Figura e “Syzifit” në këtë roman nuk është mit, por është realitet i gjallë. Ai është gjallë. Një ushtar që mbijetoi sepse ishte në male, në rreshtat e luftës, larg shtëpisë që u kthye në tragjedi. Ndërsa ai luftonte për liri, familja e tij u përball me shfarosjen.
Është e pamundur të mos të të rëndojë zemra kur lexon për 26 fëmijë, buzëqeshjet e të cilëve u shuan përgjysmë, për 20 gra fisnike që nuk patën mundësi të jetonin jetën e tyre dhe për të rinjtë që u ndalën në mes të ëndrrave.
Faqet e romanit nuk janë vetëm tregim, por janë janë dëshmi. Janë kujtesë që kërkon të mos shuhet. Janë një thirrje që drejtësia të mos mbetet vetëm fjalë në letër, por të marrë kuptim real për viktimat dhe për historinë tonë.
Ky libër nuk të lejon të jesh thjesht lexues. Të bën dëshmitar. Të bën bartës të një përgjegjësie që të mos harrosh, të mos heshtësh, por të tregosh. Sepse, ka dhimbje që nuk duhet të mbeten vetëm në libra, por në ndërgjegjen tonë.



