Blerta Deliu: Vlora nuk ka nevojë për mbrojtje, ajo është forcë dhe dinjitet në vetvete
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar publikisht në mbështetje të deputetes Vlora Çitaku, pas akuzave të bëra ndaj saj nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Përmes një postimi, Deliu ka theksuar se Çitaku nuk ka nevojë për mbrojtje, duke e cilësuar atë si simbol të forcës, standardit dhe dinjitetit.
“Vlora nuk ka nevojë për mbrojtje, ajo është forcë, standard dhe dinjitet në vetvete. Ajo i ka kaluar prej kohësh paragjykimet dhe stereotipet, dhe sot qëndron si shembull frymëzimi për çdo vajzë dhe grua në Kosovë,” ka deklaruar Deliu.
Ajo ka akuzuar se përpjekjet për ta zhvendosur vëmendjen nga deklaratat që lidhen me dënimin e Hashim Thaçi drejt debatit për seksizmin janë të qëllimshme.
“Sipas saj, kjo nuk është thjesht një reagim, por një shmangie nga problemi real, i cili, siç thekson ajo, nuk qëndron vetëm në një fjali, por në një mendësi të përsëritur.”
Deliu ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të reagojë dhe të vendosë kufij ndaj, siç i quajti ajo, “ofenduesve kronikë”, duke theksuar se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Çitakun, por për të gjitha gratë dhe vajzat që përballen me forma të ndryshme të dhunës çdo ditë.
Në reagimin e saj, ajo ka ngritur shqetësimin edhe për nivelin e debatit në Kuvend, duke përmendur se është shqetësuese kur brenda institucionit kërkohet dënim i përjetshëm për ata që, sipas saj, kanë kontribuar në themelimin e shtetit.
Deliu ka bërë thirrje që Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët të reagojnë qartë dhe publikisht.
“Është në dorën e Kryetares së Kuvendit dhe të secilit deputet që të flasin zëshëm, në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe të atyre që e bënë të mundur këtë shtet,” ka përfunduar ajo.



