“Të varrosem pa ritual fetar e pa prani zyrtare”, familja publikon letrën që Qosja e la amanet
Në llogarinë zyrtare të shkrimtarit tashmë të ndjerë, Rexhep Qosja, është publikuar letra që ai kishte shkruar në vitin 2016, e ku i kishte lënë amanetet e tij për nipin, Valjetin.
Qosja në fillim të letrës së tij ka shkruar se dëshiron të varroset pa ceremoni fetare dhe pa prani zyrtare.
Letra e plotë:
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT KËRKOJ TË KUJDESET DHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve pushteteve të tyre, dua të jam i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jam edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mosqpajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Prishtinë, 30.4.2016
Këto mendime
i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep QOSJA




