Mediat e huaja raportojnë për tre terroristët e Banjskës që u dënuan sot

24 prill 2026 | 19:18

Drejtësia në Kosovë ka dhënë sot verdiktin për rastin “Banjska”, duke dënuar tre të akuzuar për sulmin e armatosur terrorist të shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar burgim të përjetshëm për Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, gjatë shpalljes së aktgjykimit theksoi se të dënuarit kanë vepruar me qëllim cenimin e rendit kushtetues.

“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq e gjykoj me dënim me burgim të përjetshëm… Të akuzuarin Vladimir Toliq e gjykoj me dënim me burgim të përjetshëm… Të akuzuarin Dushan Maksimoviq e gjykoj me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh”, deklaroi Arrni.

Ai shtoi se në dënimet e shqiptuara do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të akuzuarve u është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Vendimi ka zënë vend në mediat më të njohura ndërkombëtare si The Washington Post, Reuters dhe Euractiv.

Sipas raportimit të Washington Post, duke iu referuar Associated Press, “një gjykatë në Prishtinë i ka dënuar dy serbë etnikë me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 30 vjet burg për përfshirjen në përplasjen e armatosur të vitit 2023 në fshatin Banjskë”.

Në artikull theksohet se të dënuarit janë shpallur fajtorë për cenim të rendit kushtetues dhe nxitje të aktiviteteve terroriste, me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.

“Përmes këtij plani të mirëorganizuar, ata tentuan të ndajnë komunat veriore nga Kosova dhe t’i aneksojnë ato me Serbinë”, citohet të ketë thënë gjyqtari gjatë shpalljes së vendimit.

Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur serb, i udhëhequr nga Milan Radoiqiq, u përlesh me Policinë e Kosovës.

Si pasojë, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues, ndërsa u rrezikua jeta e zyrtarëve policorë dhe civilëve.

Sipas mediave ndërkombëtare, mbi 40 persona të tjerë janë pjesë e aktakuzës, por ndodhen në arrati në Serbi. Për ta janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare.

“Konfirmohet se ata kanë tentuar të shkëpusin veriun e Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë”, ka deklaruar gjyqtari Arrni, sipas raportimeve të mediave.

Njëri nga të dënuarit ka mohuar fajësinë gjatë gjykimit, duke thënë: “Kjo ishte gabimi më i madh i jetës sime… por nuk kam vrarë askënd”.

Avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar apelim të vendimit, duke e cilësuar atë si “tepër të ashpër”, ndërsa Lista Serbe e ka quajtur procesin “të padrejtë”.

Mediat e huaja raportojnë se  autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Serbinë për mbështetje të grupit të armatosur, ndërsa Beogradi i ka mohuar këto pretendime.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare e cilësojnë këtë rast si një nga incidentet më serioze të sigurisë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Lufta e viteve 1998–1999, që përfundoi pas ndërhyrjes së NATO, la rreth 13 mijë të vrarë, ndërsa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të larta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës në seancën e së premtes ka votuar…