Vetëvendosje propozon zgjidhje të re për presidentin, fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë tre emra

25 prill 2026 | 09:55

Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë situata e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, VV ka theksuar se, për të shmangur dëmin që do t’i shkaktonte vendit një proces i ri dhe i panevojshëm zgjedhor, tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur një zgjidhje.

Sipas kësaj partie, pavarësisht propozimeve të shumta që i ka bërë deri më tani, përgjigjja nga subjektet tjera politike ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, VETËVENDOSJE ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre kandidatë për postin e presidentit.

Komunikata e plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.

25 prill 2026

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Botuesi Muhamet Mavraj, në Edicionin Special në Klan Kosova, tha…