Letër prekëse nga familja e Liridona Ademajt: Ajo nuk kthehet më, do kërkojmë kujdestarinë e fëmijëve
Familja e së ndjerës Liridona Ademaj ka dërguar një letër në programin “Goca dhe Gra” të TopChannel, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar autorët e vrasjes së saj me burgim të përjetshëm, Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.
Në letër, siç raporton TopChannel, familja e Liridonës shpreh falënderime për mbështetjen e të gjithëve, teksa tregojnë se ky vendim i lehtëson sado pak dhimbjen.
Sa i përket dy djemve të mitur të Liridonës, familja shprehet se do të kërkojnë kujdestarinë e tyre, sipas kushteve që duhet.
“Pas vendimit të Gjykatës, ne si familje ndihemi të lehtësuar pasi që është kulmuar një procedurë penale me një vendim gjyqësor, e nuk kanë ngelur vetëm në ndërgjegjen e popullit dhe vetëm në dënimin që kanë marrë nga qytetarët. Dënimi që kanë marrë Gjykata ka qenë me lartësinë maksimale, që njeh Kodi Penal i Republikës së Kosovës”.
“Liridona nuk kthehet për familjen Ademaj, e as për fëmijët e Liridonës, dhe as për ata që e kanë njohur si grua të fortë, punëtore, e mbi të gjitha si një person që ka sakrifikuar gjithçka për familjen. Ky vendim flladit zemrat e familjes dhe në të ardhmen, për fëmijët e Liridonës do të jenë dokumentet bazë dhe konfirmim i të vërtetës që ka ndodhur për fatkeqësinë e nënës së tyre”.
“Fëmijët nuk do të kenë arsye të brengosen për vendosjen e drejtësisë lidhur me nënën e tyre, pasi që dikush i ndërgjegjshëm dhe profesional ka vendosur denjësisht ndaj kryesit të vrasjes së nënës së tyre”.
“Familja e Liridonës do të bëjnë kërkesë autoriteteve suedeze që të marrim kujdesin e fëmijëve qoftë në Republikën e Kosovës apo edhe në ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian ashtu siç shteti suedez mund të pranojë një kërkesë të tillë”, thuhet në letrën e dërguar nga familja e Liridonës.



