BDI-ja për VLEN-in: Është caktuar si zëdhënës kundër Shqipërisë dhe interesit shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se po vepron në përputhje me qëndrimet e VMRO-DPMNE dhe kundër interesave të shqiptarëve.
Sipas reagimit të BDI-së, VLEN-i ka konfirmuar edhe një herë rolin që, sipas tyre, i është caktuar nga VMRO-DPMNE, duke u shndërruar në “zëdhënës kundër Shqipërisë dhe interesit shqiptar”.
Në reagimin e BDI-së është thënë se kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prej javësh ka ndërmarrë sulme politike ndaj Shqipërisë, për shkak të qëndrimeve të saj lidhur me të drejtat e shqiptarëve në vend dhe procesin integrues evropian.
BDI-ja ka kritikuar faktin se, në vend që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesit e VLEN-it janë rreshtuar në të njëjtën linjë me VMRO-DPMNE-në.
Sipas partisë që drejtohet nga Ali Ahmeti, është e papranueshme që përfaqësues shqiptarë në qeveri të përdorin gjuhë më të ashpër ndaj Shqipërisë sesa vetë partnerët maqedonas.
Në reagimin e BDI-së është theksuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për përfaqësim që mbron barazinë, gjuhën shqipe dhe orientimin evropian të vendit, e jo për përfaqësues që, siç thuhet, shndërrohen në instrumente politike kundër interesave të tyre.
BDI-ja ka vlerësuar se kjo periudhë do të mbahet mend si një kohë kur disa përfaqësues, ndonëse të zgjedhur në emër të shqiptarëve, sipas tyre, kanë vepruar në kundërshtim me interesat e tyre.



