Baraliu: Përgjegjësia mbetet te fituesi i zgjedhjeve për të siguruar votat për presidentin
Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri. Por, bazuar në qëndrimet e partive politike parlamentare, vështirë se do të ketë zgjidhje për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Megjithatë, profesori universitar Mazllum Baraliu ka vlerësuar se oferta e fundit e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare, LDK dhe PDK, lidhur me zgjedhjen e presidentit, ka ardhur me vonesë, por megjithatë duhet shfrytëzuar si mundësi për zgjidhje.
Sipas tij, oferta e LDK-së që është dhënë së fundmi, “mendoj që është një ofertë serioze”.
Baraliu për KosovaPress ka deklaruar se çështja e presidentit është dashur të trajtohej menjëherë pas zgjedhjeve, pasi sipas tij është një proces që ndikon drejtpërdrejt në funksionalitetin institucional të vendit.
“Po, gjithsesi që është dashtë ma herët të trajtohet, madje “menjëherë pas zgjedhjeve të fundit çështja e presidentit për një marrëveshje ose një kompromis mes partive politike të opozitës dhe pozitës. Një gjë të cilën në fillim fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri Kurti nuk e ka vënë në prioritet në parë. Po meqë ne punët po i lëmë sipas partive tona politike në momentet e fundit, që nuk është mirë sepse janë çështje të rëndësishme dhe kushtëzuese. Kjo është një çështje që e kushtëzon dhe e devalidizon faktikisht, e zhbën nëse doni kushtimisht në thonjëza gjithë procesin elektoral dhe zgjedhjen e qeverisë dhe të konstituimin e Kuvendit. Pra është dashtë ma herët. Meqë kemi ardhë në situatë kur kemi thjesht këtë gjendje çfarë e kemi, “më mirë vonë se kurrë” thotë populli me të drejtë dhe ne po mendojmë që deri në momentet e fundit duhet shfrytëzuar mundësia. Dhe mundësia, oferta e LDK-së që është dhënë së fundmi, unë mendoj që është një ofertë serioze dhe do të duhet meqë edhe ashtu është ofruar mundësia nga fituesi i zgjedhjeve të këtyre dy partive opozitare që t’i zgjedhin nga tre kandidatë, atëherë do të duhet të diskutohet dhe të përfundojë shumë shpejt me një marrëveshje ku do të kishte një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili apo edhe më shumë, i të cilët do të përkrahnin fillimisht me dhënien e nënshkrimeve. E pastaj meqë ai nuk i ka të gjitha nënshkrimet e meqë fituesi i zgjedhjeve ka mundësi ende nënshkrime të pashfrytëzuara që t’ia japë, atëherë do të duhet marrë seriozisht dhe gjetur si të pranueshme ofertën e LDK-së nga ana e fituesit të zgjedhjeve.”,tha Baraliu.
Ai e konsideron të arsyeshme kërkesën që kandidatët për president të mos jenë aktivë politikisht, duke theksuar se kjo nuk duhet parë si kusht strikt, por si kërkesë që mund të negociohet.
“Ish-presidentja nuk është tani më në politikë dhe ajo është kandidate mendoj unë e duhur që mund të ofrohet. Por megjithatë kryetari i LDK-së nuk e ka lënë si të vetmen mundësi, ai me fjalë të tjera heshtazi ka pranuar që të ketë tre kandidatë ose dy, por njëri prej tyre mund të ishte Vjosa, gjegjësisht ish-presidentja që në fakt mendoj unë që asgjë nuk është jashtë kërkesave të fituesit të zgjedhjeve që këta kandidatë mos jenë partiakë. “,u shpreh ai.
Baraliu vlerëson se ekziston ende hapësirë ligjore dhe politike për arritjen e një marrëveshjeje, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili parasheh afate të qarta për zgjedhjen e presidentit.
Ai e cilëson si korrekte qasjen e LDK-së për të ofruar kandidatë vetëm në kuadër të një marrëveshjeje politike, duke rikujtuar se kjo parti ka insistuar vazhdimisht në një zgjidhje konsensuale ose marrëveshje klasike politike.
“Ajo marrëveshje në fakt ka prodhuar efekt nga ana e fituesit të zgjedhjeve sepse i është ofruar para disa ditësh një ofertë që ka qenë edhe gjeneroze edhe do të thosha unë korrekte, bile dhe grandioze, t’i japësh dikujt që ka fituar 13% ose 12% t’i japësh 40% përafërsisht të vendeve më të rëndësishme të qeverisë nuk është pak, është ofertë serioze dhe grandioze. Prandaj mendoj që nuk do të duhej të kishte asnjë problem tash as mosmarrëveshje mes këtyre dy partive për ta gjetur një zgjidhje që nga tre kandidatë eventualë që mund t’i propozojnë ata të Lidhjes Demokratike, njëri prej tyre të ishte i pranueshëm”, tregoi ai.
Profesori shtoi se përgjegjësia tashmë mbetet te fituesi i zgjedhjeve për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.
“LDK-ja ka garantuar praninë e 15 votave dhe sigurinë e atyre votave për të cilat fituesi i zgjedhjeve, këtë rast kryeministri ynë, thoshte se nuk janë të sigurt. Tani më mbetet topi në anën tjetër të fituesit të zgjedhjeve, se, a i ka ai 66 vota në mënyrë që të jenë edhe 15 dhe t’i kemi pastaj numrin e nevojshëm të deputetëve që duhet të jenë prezentë në raundin e parë dhe raundin e dytë të seancës së zgjedhjes së Presidentit.” deklaroi Baraliu.
Duke komentuar qëndrimet e PDK-së, e cila e ka cilësuar ofertën si jo serioze, ai tha se qeveria ka bërë përpjekje konkrete për kompromis dhe se ofertat nuk duhet parë si taktika politike për fajësim të ndërsjellë.
Sa i përket mundësisë së zhvillimeve të ardhshme, Baraliu nënvizoi se ende ekzistojnë dy opsione dhe se duhet shfrytëzuar çdo moment për të arritur marrëveshje.
“Janë ende dy mundësi dhe nuk duhet humbur rasti, prandaj po them edhe njëherë që fituesi i zgjedhjeve, në këtë rast koalicioni i Vetëvendosjes dhe Lidhja Demokratike e kanë një rast unik për të dëshmuar edhe liderizëm, lidership, edhe për të dëshmuar institucionalizëm…. Kanë perceptime dhe vlerësime të gabuara ata, sidomos disa eksponentë të opozitës të cilët mendojnë se janë ndryshuar dukshëm rrethanat dhe mund të shkohet në zgjedhje dhe mund të përfitohet. Jo nuk mund të përfitohet pak ose shumë, po nuk mund të përfitohet mjaftueshëm që t’i ndryshojë parametrat përsëri faktori kryesor dhe fitues kryesor sipas asaj që ka shpreh votuesi gjatë këtyre cikleve të fundit, sidomos dy-tri cikleve të fundit, tri në fakt, thjesht Vetëvendosja do të jetë përsëri dhe mund të jetë partia më e madhe fituese. Opozita do të mbetet e shpërndarë, e dekompozuar dhe pa ndonjë mundësi që ta largojë nga pushteti tani fituesin e zgjedhjeve dhe të marrë ajo pushtetin ose të marrë në dorë qeverisjen e vendit.”, u shpreh Baraliu.
Dje, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët – konsensual, për president.
Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.
Ndërsa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti garanci për sigurimin e 66 votave nga partia e tij në rast se LDK-ja propozon Vjosa Osmanin për presidente.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit. Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin pesë-vjeçar më 4 prill.



