ORCA: Kuvendi të mos votojë një proces të komprometuar, të ruhet pavarësia e Agjencisë së Akreditimit

27 prill 2026 | 11:36

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar, siç u tha, tentimet për cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Më 7 prill 2026, Ministria e Arsimit shpalli thirrjen publike për nominimin e tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, me afat aplikimi prej 8 ditësh. Për këtë thirrje aplikuan gjithsej 10 kandidatë. Më 20 prill, komisioni vlerësues u mblodh për shqyrtimin e aplikimeve dhe brenda rreth 48 orëve përfundoi vlerësimin e të gjithë kandidatëve, duke hartuar listën e rekomandimeve, të cilën ia dorëzoi Ministrit Hajrullah Çeku. Në fushën e Mjekësisë u rekomandua Driton Vela. Raporti i komisionit është proceduar në Qeveri në mënyrë urgjente, pa qartësi nëse është nënshkruar nga të gjithë anëtarët, ndërsa kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim. Kjo mënyrë e procedimit ngre dyshime serioze për integritetin e gjithë procesit”, tha aktivisti i ORCA-s, Dibran Hoxha, duke shtuar se një nga arsyet kryesore të përdorura për të justifikuar këtë procedurë është pretendimi për mungesë kuorumi në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Megjithatë, përbërja aktuale e këtij organi garanton funksionimin e tij edhe për një periudhë të konsiderueshme kohore. Rrjedhimisht, nuk ekziston asnjë bazë faktike apo ligjore për të krijuar urgjencë për ndërhyrje në përbërjen e tij”, tha Hoxha.

Ai ka pohuar se në këtë proces është rikthyer edhe emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

“Driton Vela në vitin 2023 ishte diskualifikuar nga një proces i ngjashëm për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim, konkretisht për pretendimin se kishte rol akademik si bartës i programi në Universitetin e Prishtinës dhe për paraqitje të pasakta të përvojës së tij akademike. Në tetor të vitit 2025, ai u përfshi në një incident publik me sjellje joakademike gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në shkurt të vitit 2026 i është shqiptuar vërejtje me shkrim nga Universiteti i Prishtinës për cenim të imazhit institucional. Pavarësisht këtij historiku, ai është rekomanduar sërish për një pozitë vendimmarrëse në këtë institucion”, tha ai.

Ai ka kujtuar se katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe rrjeti ROSCAP kanë kërkuar ndalimin e procesit dhe refuzimin e listës, duke paralajmëruar për pasoja në kredibilitetin e Agjencisë dhe në pozicionin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë.

“Ky rast tregon qartë se si një proces që duhet të bazohet në meritë dhe transparencë mund të shndërrohet në një procedurë të përshpejtuar, ku standardet relativizohen dhe kriteret anashkalohen. Nëse kjo logjikë pranohet, atëherë përzgjedhja e anëtarëve të një institucioni të pavarur pushon së qeni proces profesional dhe shndërrohet në vendimmarrje të orientuar nga interesa të tjera. Për këtë arsye, ORCA kërkon që ky proces të anulohet dhe të iniciohet një procedurë e re, transparente dhe e bazuar në meritë. Çdo vendim që cenon pavarësinë dhe kredibilitetin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim rrezikon drejtpërdrejt edhe pozitën ndërkombëtare të sistemit të arsimit të lartë në vend, përfshirë anëtarësimin në mekanizma si EQAR dhe ENQA. Prandaj, iu bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që, në ushtrimin e mandatit të tyre për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe interesin shtetëror, që përfshin edhe ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të pavarura, të mos i votojnë këta emra në seancën e sotme. Ky proces nuk i plotëson standardet minimale të transparencës, meritës dhe ligjshmërisë dhe si i tillë duhet të refuzohet, duke hapur rrugë për një procedurë të re, të drejtë dhe të besueshme. Në të kundërtën, ata do të bëhen bashkëpjesëmarrës në cenimin e pavarësisë dhe kredibilitetit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim”, tha Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Sport dhe Rini…