PDK-ja i kërkon u.d. presidentes emërimin e anëtarit të dytë në KQZ
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se tashme Kosova po hyn në zgjedhje dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, duhet që, përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve, duhet të nënshkruajë edhe dekretin për emërimin e anëtarit të 2-të të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ka thënë mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë mbajtur për KQZ, por për Kuvendin e Kosovës, në të cilin kanë arritur të hyjnë 4 grupe parlamentare. Andaj, në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka shkruar Gjoshi në “Facebook”, duke theksuar se Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët, e jo zgjedhje, legjitimiteti i të cilave do të vihej në pikëpyetje. “Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues. Askush nuk mund ta përdorë KQZ-në për përfitime politike, në kundërshtim me rendin kushtetues”, ka thënë Gjoshi.



