Tasholli: ‘Liria ka Emër’ nis fushatë të re për liderët e UÇK-së, presim vendim juridik e jo politik

29 prill 2026 | 16:53

Platforma “Liria ka Emër” ka nisur një fushatë të re sensibilizuese në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Në sheshin e Prishtinës është vendosur një baner me fotografitë e tyre, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka thënë për “Ekonomia Online” se kjo është vetëm nisja e një serie aktivitetesh që do të zgjasin rreth një muaj e gjysmë.

“Po, nëse ju kujtohet në fjalimin e fundit, në marshin e fundit që u mbajt, atje thuhet që me kaq nuk do të ndalemi. Dhe kjo është nisja e një aktiviteti ose fushatë krejt tjetër dhe krejt ndryshe që ka ndodh sot me këtë çka po shihni mbrapa, dhe do të jenë aktivitete që do të zgjasin një muaj, një muaj e gjysmë dhe janë të planifikuara dhe janë brenda kalendarit organizativ të ‘Liria ka Emër’”, ka thënë ai.

Duke folur për aktivitetet e planifikuara, Tasholli ka thënë se ato do të jenë kryesisht simbolike dhe do të përfshijnë edhe artistë të ndryshëm.

“Po, do të ketë aktivitete më shumë simbolike, jo më me idenë dhe qëllimin e një marshi tjetër, por do të jenë aktivitete, nëse mund të themi, të kombinuara me artistë të ndryshëm, me mesazhe të ndryshme, por gjithsesi me kohë do t’ju lajmërojmë për secilin aktivitet veç e veç sepse kalendari tash është i mbushur”, ka thënë Tasholli.

Më tutje, ai ka folur edhe për pritjet që kanë nga Gjykata Speciale, duke theksuar se presin një vendim juridik dhe jo politik. “Po, ne presim një vendim juridik dhe kurrsesi politik. Dhe kur mbesim brenda juridikes, e kemi shpresën të bazuar se ata do të kthehen shpejt”, ka thënë Tasholli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo është shprehur kritik…