Raporti britanik: Provat nga Serbia cenojnë standardet e drejtësisë në Hagë
Një organizatë ndërkombëtare e drejtësisë, në një hulumtim të saj, ka konstatuar se mijëra prova nga Serbia në Gjykatën Speciale: autenticiteti i dobët i tyre, rëndësia periferike provuese dhe qëllimi politik serb kundër UÇK-së janë elemente që cenojnë standardin e drejtësisë mbi të cilat është ngritur kjo gjykatë.
Përdorimi i provave nga Serbia në rastin kundër krerëve të UÇK-së është trajtuar të paktën përmes tre faktorëve të rëndësishëm dhe shqetësues nga Organizata “The Bar Human Rights Committee of England and Wales”, në një raport 90 faqesh për proceset në Hagë, raport që e ka përgatitur për Avokatin e Popullit.
Sipas BHRC, mbrojtja kishte identifikuar, përmes platformës së menaxhimit të provave të Gjykatës, të paktën 2,356 dokumente që burojnë nga Serbia ose organet e saj.
Sipas kësaj organizate, që përbën një nga hulumtimet e monitorimet ndërkombëtare të para e të rëndësishme mbi Gjykatën Speciale – elementi i parë që ngre shqetësime për pranimin e provave nga Serbia është ai politik.
“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (sipas nenit 182 të Kushtetutës së Serbisë, Kosova mbetet formalisht e përcaktuar si krahinë serbe) dhe vazhdon ta karakterizojë UÇK-në si organizatë terroriste. Qendra për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar se politika zyrtare në Serbi që nga viti 2012 është formësuar nga një narrativë e ndërtuar mbi viktimizimin serb dhe heroizimin e forcave të armatosura serbe, me përjashtimin sistematik të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës – një narrativë e promovuar aktivisht përmes mediave të kontrolluara nga shteti”, thuhet në raport.
Faktori i dytë shqetësues, sipas tyre, është interesi i dëshmuar institucional i Serbisë në rezultatin e ndjekjeve penale lidhur me UÇK-në para Dhomave të Specializuara.
“Në vitin 2018, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Veljko Odalovic, deklaroi publikisht se Serbia kishte gjetur arkiva dhe kishte bashkëpunuar me persona që kishin informacione relevante për të prodhuar dokumente lidhur me krimet e pretenduara të UÇK-së. Prokurori serb Dragoljub Stanković raportohet të ketë përshkruar rolin e tij si gjetjen dhe inkurajimin e dëshmitarëve për të dhënë deklarata në Prokurorinë Speciale në Hagë, duke e karakterizuar këtë si shërbim ndaj interesave të Serbisë”, theksohet tutje në raport.
Gjithashtu, aty theksohet se Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç i ka cilësuar procedurat e Gjykatës Speciale si një mundësi për të demonstruar “kriminalitetin e UÇK-së dhe për të kundërshtuar atë që ai e përshkroi si “lobin shqiptar” në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”.
Dhe, duke e parë këtë angazhim të madh politik të Serbisë si një detyrë kombëtare për ta dënuar UÇK-në, raporti thekson se pikërisht këtu qëndron rëndësia për mënyrën se si vlerësohet besueshmëria dhe pavarësia e këtij angazhimi.
Faktori i tretë, ndërkaq, sipas BHRC, lidhet me origjinën dhe integritetin e dokumenteve të sekuestruara nga forcat e sigurisë serbe gjatë konfliktit 1998–99.
“Ky shqetësim mbështetet në gjetjet e Dhomës së Gjykimit të ICTY në çështjen Gjorgjeviq lidhur me inskenimin dhe fabrikimin e krimit dhe përpjekjet më të gjera të aktorëve shtetërorë serbë për të shtypur, larguar dhe fshehur provat e krimeve kundër civilëve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në raport.
Sipas raportit të BHCR, trajtimi ose përfshirja e shtetit serb në mbledhjen e provave nuk mund të supozohet si neutral.
“Ndërsa nuk mund të ketë një rregull kategorik që aplikon standarde të ndryshme pranueshmërie sipas origjinës kombëtare të provës, interesat institucionale specifike dhe sjellja e dokumentuar e shtetit serb, të identifikuara më sipër, janë faktorë që, kur janë të pranishëm, ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin e rregullave të zakonshme që rregullojnë autenticitetin dhe zinxhirin e ruajtjes së provës”.
“Si të tilla, gjyqtarët duhet t’i zbatojnë këto rregulla me një rigorozitet të veçantë – veçanërisht kur mungojnë origjinalet ose kur zinxhiri i ruajtjes nuk mund të verifikohet. Pohimi i thjeshtë i origjinës ose njohja e emrave brenda një dokumenti nuk duhet të përmbushë, pa më shumë, pragun e autenticitetit prima facie (në shikim të parë)”, theksohet aty.
Hulumtuesit e BHCR theksojnë se mbrojtja duhet të ketë mundësi të mjaftueshme për të sfiduar si pranimin, ashtu edhe vlerën provuese të këtij materiali.
“Të dyja kërkesat mbështeten në jurisprudencën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e cila e zbaton të drejtën për të marrë në pyetje dëshmitarët edhe ndaj provave dokumentare dhe e konsideron të drejtën e të pandehurit për t’i kundërshtuar këto prova si pjesë të së drejtës për kohë dhe mjete të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes”, shkruhet në raport.
“Për shembull, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje kur gjykatat vendase kanë refuzuar vazhdimisht kërkesat e të pandehurit për paraqitjen e dokumenteve origjinale që shërbenin si bazë për dënimin. Komiteti për të Drejtat e Njeriut, duke interpretuar nenin 14 të ICCPR-së, ka mbajtur gjithashtu qëndrim se kur burimi i provave inkriminuese ka motiv për falsifikim, gjykatat duhet t’i trajtojnë këto prova me kujdes të veçantë dhe se dështimi për ta bërë këtë mund të përbëjë vetë shkelje të një gjykimi të drejtë”.
Në këtë raport është marrë shembull një dokument i pranuar – një fletore me dorëshkrim e pretenduar të jetë e një ushtari të UÇK-së.
“Paneli pranoi një fletore të shkruar me dorë dhe një dokument të shtypur me shtesa të shkruara me dorë, të cilat pretendohej se ishin regjistra bashkëkohorë të inteligjencës dhe kundër-inteligjencës së UÇK-së, të sekuestruara nga autoritetet serbe gjatë konfliktit dhe më pas të transmetuara përmes ICTY / Mekanizmit Ndërkombëtar Residual për Tribunalet Penale (MICT) tek ZPS. Narrativa e ZPS-së për zinxhirin e ruajtjes nuk u mbështet në prova në dosje, por në një deklaratë nga procedurat Haradinaj në ICTY, e cila nuk ishte zbuluar ndaj Mbrojtjes dhe as nuk ishte paraqitur për pranueshmëri”, theksohet në raport.
Për këtë dokument, raporti nxjerr një kundërthënie nga paneli i gjyqtarëve – herë duke ia vënë barrën e provës mbrojtjes e herë duke ia shtuar.
“ZPS argumentoi se “Mbrojtja nuk ka demonstruar asnjë bazë për të sfiduar autenticitetin e dokumentit” dhe se, meqenëse dëshmitari kishte njohur emrin e tij dhe të disa të tjerëve, “përmbajtja e materialit demonstron origjinën dhe autenticitetin e tij nga UÇK-ja, përfshirë kur konsiderohet së bashku me dokumente të tjera”.
Paneli i pranoi të dy dokumentet.
“Duke vepruar kështu, ai pranoi se “Mbrojtja nuk mban barrë prove në këtë drejtim”, por më pas konstatoi se “Mbrojtja nuk ka ofruar ndonjë shpjegim të besueshëm pse dokumentet duhet të konsiderohen si diçka tjetër përveçse regjistra të mbledhjes së inteligjencës dhe kundër-inteligjencës të kryera nga individë të panjohur”.
Këto dy pohime, thuhet në raport, janë në kundërshtim. Pasi, nëse mungesa e një shpjegimi të besueshëm nga Mbrojtja përdoret si arsye për pranimin, atëherë, theksohet aty, barra praktike është zhvendosur, pavarësisht ndarjes formale.
“Rëndësia e kësaj shtohet nga shkalla: Mbrojtja pretendoi gjithashtu se kishte identifikuar, përmes platformës së menaxhimit të provave të Gjykatës, të paktën 2,356 dokumente që burojnë nga Serbia ose organet e saj – një pjesë e konsiderueshme e të gjithë regjistrit provues. Standardi i autentikimit të aplikuar ndaj materialeve me burim nga Serbia, pra, nuk është çështje margjinale; ai ndikon në bazën provuese të të gjithë çështjes”.
Në këtë raport dokumentohet po ashtu se Mbrojtja ka kërkuar, të paktën në dy raste, një urdhër për zbulimin e të gjithë materialit që buron nga shteti serb, organet dhe agjentët e tij, së bashku me origjinën e çdo materiali të tillë mbi të cilin mbështetet ZPS.
ZPS refuzoi, thuhet në raport, duke argumentuar se Mbrojtja nuk kishte demonstruar se marrëdhënia e saj me Serbinë ndikonte në besueshmërinë apo kredibilitetin e provave të marra, dhe duke konfirmuar vetëm se asnjë provë me burim nga Serbia nuk po mbahej e fshehur në përputhje me Rregullën 107.
“Qëndrimi i ZPS-së ishte se marrëdhënia e saj me Serbinë ishte analoge me çdo ofrues tjetër informacioni. Fatkeqësisht, këto çështje mbeten të pazgjidhura në regjistrin publik, pasi nuk është identifikuar asnjë vendim publik në lidhje me këto kërkesa, pavarësisht se ato datojnë nga viti 2023. Mungesa e një vendimi publik përbën vetë shqetësim për transparencën”, shprehet shqetësimi në raport.
Organizata “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” thekson se Gjykata Speciale u themelua për të ofruar drejtësi që gjykatat vendore ekzistuese në rajon nuk mund ta jepnin dhe për ta bërë këtë në një standard që siguron besimin ndërkombëtar.
“Një regjistër i mbushur me materiale me autenticitet të dobët dhe me vlerë provuese margjinale nuk i shërben këtij standardi; ai e minon atë, duke shtrembëruar aftësinë e Mbrojtjes për t’u përgatitur dhe duke i dhënë peshë kritikave që përndryshe do të mund të kundërshtoheshin”, theksohet në raport.
Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj.
Nga ky afat kanë mbetur edhe 20 ditë.
Sipas ligjeve të Speciales, trupi gjykues mund të kërkojë edhe dy muaj kohë nëse brenda 90 ditorëshit fillestar nuk ka marrë një vendim.
Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniq – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.
Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales. Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë.
Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi.
E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt.
Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.
Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë.
Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.



