Raporti i BHRC-së: Mbrojtja operoi në disavantazh me prokurorinë në Hagë
Raporti i organizatës së mirënjohur britanike “Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Wales-it (BHRC)”, në raportin e saj “Rishikimi Preliminar i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka ngritur shqetësime serioze për pabarazi armësh mes prokurorisë dhe ekipeve mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Parimi i barazisë së mjeteve është një nga thelbësorët për sigurimin e gjyqeve demokratike. Ky parim siguron që asnjëra palë të mos operojë në disavantazh gjatë paraqitjes së çështjes së saj.
Pra, të dyja palët, prokuroria dhe mbrojtja duhet të kenë mundësi të barabarta në prezantimin e fakteve dhe argumenteve.
Organizata e mirënjohur britanike nënvizon tetë sfida që mund të zhdukin principin e barazisë së armëve. Ato përfshijnë qasjen në avokat, mjetet e pamjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes, e të tjera.
Avokatët britanikë thonë se rregullativat e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundësojnë të akuzuarve të takohen në mënyrë të privilegjuar vetëm me Avokatin dhe Bashkë-Avokatin, duke u mohuar kështu takime me anëtarë tjerë të ekipit mbrojtës, të cilët mund ta shoqërojnë Avokatin në takime të tilla, por nuk mund të takohen me privilegje në mënyrë të pavarur.
Sipas ekspertëve që kanë hartuar raportin “ky kufizim formal nuk pasqyron realitetin operacional të funksionimit të ekipeve mbrojtëse në procedurat penale ndërkombëtare. Në praktikë, asistentët ligjorë, konsulentët dhe menaxherët e çështjeve shpesh janë juristë të kualifikuar dhe kryejnë një pjesë të konsiderueshme të punës së mbrojtjes, përfshirë komunikimin e drejtpërdrejtë me të akuzuarin. Kufizimi krijon pengesë strukturore për përgatitje efektive, sidomos për të akuzuarit në paraburgim”.
Gjykata Speciale, siç ceket në pikën B të nenit 147 të raportit, shumë herë ka dështuar të ofrojë kushte infrastrukturore për përgatitjen e mbrojtjes. Aty shpjegohet, duke cituar Regjistrin e Dhomave të Specializuara, se objekti “operon me kapacitet maksimal të dhomave të vizitave dhe duhet të marrë hua hapësirë nga gjykata të tjera”. Në disa raste njoftimi për vizitat është dërguar në kohë shumë të shkurtër, hera-herë vetëm orë më parë.
Sipas ekspertëve britanikë, kjo vështirëson punën e mbrojtjes, të cilëve kohët e paparashikueshme të konfirmimit të vizitave ua “prishën aranzhimin e udhëtimit”, ndërsa të paktën në një rast një të pandehuri i ka çrregulluar aftësinë për t’u fokusuar në përgatitjen e çështjes përmbajtësisht.
Raporti voluminoz nënvizon edhe mungesën e kohës së mjaftueshme të mbrojtjes për përgatitje. Aty thuhet se mbrojtja ka hasur në probleme gjatë përgatitjes nga metodologjia e punës së Prokurorisë, e cila kërkon nga mbrojtja rindërtimin e çështjes së saj nga një sasi e pambarimtë materiali.
Kritikat për vonesa nga mbrojtja janë të padrejta, kur merr parasysh se ekipet e tyre patën vetëm muaj kohë krahasuar me pesë vite që Prokuroria kishte në dispozicion për të përgatitur çështjen e saj.
Autorët e raportit kanë thënë se, sipas mendimit të tyre, ZPS ka bërë presion për datë më të shpejtë gjyqi, teksa ka rezistuar ndaj sugjerimeve të mbrojtjes për të marrë në dispozicion sa më shpejt dosjen paraprake. Ky pozicion, sipas autorëve, “duket i vështirë për t’u pajtuar me ndonjë gjë tjetër përveç një vendimi të qëllimshëm për të kalibruar kohën e zbulimit në mënyrë që të minimizohet koha e përgatitjes së mbrojtjes”.
Raporti nënvizon edhe zhvillimin e më shumë se një procedure ndaj një të akuzuari, që për autorët është gjë e pa precedent në drejtësinë ndërkombëtare. Sipas tyre, “kjo krijon ngarkesë të madhe për të akuzuarin dhe kufizon aftësinë e tij për të marrë pjesë në mënyrë efektive në përgatitjen e mbrojtjes”.
Autorët britanikë ngrehin alarm edhe për mënyrën se si është mirëmbajtur balanca mes mbrojtjes së dëshmitarëve dhe një gjykimi të drejtë dhe transparent. Aty theksohet se rasti i Gjykatës Speciale shkon përtej çdo tribunali ndërkombëtar, duke mundësuar anonimitet total të dëshmitarit.
“Në ICTY, Dhoma Gjyqësore e Tadiçit u dha anonimitet të pjesshëm disa prej dëshmitarëve të Prokurorisë, por praktika e përdorimit të dëshmitarëve anonimë nuk vazhdoi pas vrasjes së Tadiçit”, thuhet në raport.
Pika tjetër e raportit sa i përket dëmtimit të parimit të barazisë së mjeteve hijezon mos-publikimin e provave.
“Identitetet e 68 dëshmitarëve mbetën të panjohura për mbrojtjen dhe 46,000 faqe me material të ri ose më pak të redaktuar ende nuk ishin siguruar, me zbulimin e planifikuar vetëm 30 ditë para gjyqit”.
Në fund, raporti kërkon vëmendje të veçantë edhe për sa i përket përkthimit të lëndës për të akuzuarit, të cilët, duke pasur parasysh faktin se kuptojnë dhe flasin më mirë në shqip, mund të hendikepohen në aftësinë e tyre për kuptimin e çështjes që e kanë përballë dhe dhënien e udhëzimeve efektive për ekipin e tyre të mbrojtjes.
Për autorët, gjetjet e tyre, ndonëse nuk mund të konstatojnë shkelje direkte të barazisë së armëve, ato “garantojnë të ndërmerren hapa për të kryer një vlerësim më të plotë, duke përfshirë edhe përmes monitorimit të vazhdueshëm të gjyqeve”.
Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj.
Nga ky afat kanë mbetur edhe 20 ditë. Sipas ligjeve të Speciales, trupi gjykues mund të kërkojë edhe dy muaj kohë nëse brenda 90 ditorëshit fillestar nuk ka marrë një vendim.
Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniq – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.
Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.
Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.
Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.



