FC Prishtina 01 fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë në histori
FC Prishtina 01 është fituese e Kupës së Kosovës në futsall për edicionin 2025/26, pasi në finalen e zhvilluar ndaj FC Liqenit ka triumfuar me rezultat bindës 6:3.
Finalja, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe me prani të madhe të tifozëve, ka ofruar spektakël të vërtetë në parket, me ritëm të lartë loje dhe rivalitet të fortë sportiv nga të dyja skuadrat.
Pjesa e parë ishte shumë dinamike dhe ka prodhuar plot shtatë gola. FC Prishtina 01 ka arritur të shkojë në pushim me epërsi 4:3, ku të dyja ekipet kanë treguar efikasitet të lartë në fazën ofensive.
Për FC Liqenin, Camilo Sanchez ka realizuar dy gola, ndërsa një herë ka shënuar edhe Arbër Shkodra. Në anën tjetër, për bardhekaltërit dy gola i ka realizuar Drilon Maxharraj, ndërsa me nga një gol kanë kontribuuar Jeton Rukovci dhe Ari Kaqanolli.
Në pjesën e dytë, FC Prishtina 01 ka administruar më mirë lojën dhe është treguar më e saktë në finalizim, duke shënuar edhe dy herë të tjera. Maxharraj ka realizuar golin e pestë, duke kompletuar “het-trikun” e tij, ndërsa Fitim Krasniqi ka vulosur rezultatin përfundimtar 6:3.
FC Liqeni, përkundër disfatës, ka shfaqur paraqitje dinjitoze dhe konkurruese deri në fund, duke kontribuar në një finale cilësore dhe me frymë të lartë të “fair-play”-it.
Me këtë triumf, FC Prishtina 01 e fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë në historinë e klubit, duke konfirmuar vazhdimësinë e sukseseve dhe rolin e saj si një nga skuadrat më të spikatura në futsallin kosovar.
Në fund trofeun për ekipin fitues dhe medaljet i ndanë Samir Ujkani, anëtar i KE të FFK-së dhe Hysni Gjinovci kryetar i Komisionit të Futsallit.



