Raporti për Specialen, Behrami: Kthesa më e madhe për procesin gjyqësor në Hagë
Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Lidhur me këtë raport, ka reaguar ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i cili ka thënë se është kthesa më e madhe për procesin e Hagës, atje ku tash e më shumë se pesë vjet, po mbahen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai ka thënë se publikimi i raportit që gjen shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore do të duhej të përbënte alarm për shtetet financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Bar Human Rights Committee of England and Wales është organizata më serioze në botë dhe njihet për fakte të verifikuara. I lumtë edhe Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për angazhimin në këto pesë vitet e fundit për të ndriçuar të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale”, ka shkruar ai në “Facebook”.



