Ndalohen punimet në 14 vendpunishte të ndërtimtarisë
Inspektorati Qendror i Punës është duke vazhduar inspektimet në sektorët me rrezikshmëri të lartë në territorin e Kosovës.
Në 48-orëshin e fundit Inspektorati ka realizuar aksione vetëm në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas raportit, nga gjithsej 32 inspektime, në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet dhe katër janë proceduar në Polici. Po ashtu, në 21 vende janë shqiptuar vërejtje.
“Në përfundim të Aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara”, ka njoftuar Inspektorati.
Inspektorati ka sqaruar se për katër rastet që i ka proceduar në Polici, ishin raste kur punëkryerësit/investitorët kanë vazhduar punimet në kantier në kundërshtim me vendimin e inspektorëve për ndalim dhe dëmtim të shiritit ndalues.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Andin Hoti, më 13 prill ka marrë vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vendpunishte.
Vetëm këtë vit kanë humbur jetën 10 punëtorë.



