Rrustemi thirrje për ndërhyrje urgjente pas gjetjes së mjetit shpërthyes në Shishman të Gjakovës

02 maj 2026 | 11:18

Banori i fshatit Shishman i Bokës i komunës së  Gjakovës, Jahja Rrustemi, ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për identifikimin dhe largimin e mjeteve të rrezikshme shpërthyese, pas gjetjes së një të tillë në oborrin e shtëpisë së tij.

Në një reagim publik, Rrustemi ka rikujtuar ngjarjet tragjike të 26 marsit 1999, kur forcat policore dhe ushtarake serbe hynë në fshat, duke e zbrazur atë me dhunë dhe duke vrarë pesë të rinj: tre nga familja Jaha – Aliun, Idrizin dhe Basriun – si dhe dy nga familja Mehmeti – Shabanin dhe Isenin.

Ai thekson se fshati kishte rëndësi të veçantë strategjike gjatë luftës, si një rrugë kryesore furnizimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe për shkak të afërsisë me kufirin me Shqipërinë. Pas dëbimit të banorëve, forcat serbe u vendosën në shtëpitë e fshatit deri në qershor të vitit 1999.

Rrustemi kujton gjithashtu se më 29 mars 1999, në zonën mbi fshat, u vranë 14 dëshmorë të UÇK-së, duke e thelluar edhe më shumë tragjedinë e kësaj ane.

Duke pasur parasysh këto rrethana dhe aktivitetin e madh ushtarak që ka ndodhur në atë zonë, ai paralajmëron për rrezikun real të pranisë së mjeteve të pashpërthyera, si pasojë e bombardimeve të NATO-s apo minimet e mundshme nga forcat serbe.

Për këtë arsye, Rrustemi u bën thirrje institucioneve përkatëse që të kryejnë kontrolle të plota dhe profesionale në të gjithë territorin e fshatit Shishman, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve. Ai thekson se kjo është njëkohësisht obligim institucional dhe detyrim moral ndaj jetës së qytetarëve dhe kujtimit të viktimave të luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donald Trump kishte kërcënuar më herët se do të largonte…