Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të atdhetarit Beqir Berisha

03 maj 2026 | 15:25

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Berishës, atdhetarit e intelektualit të shquar nga Tetova. Në emër të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së tij si dhe të gjithë shqiptarëve, për këtë humbje të madhe. Beqir Berisha do të kujtohet me respekt si njeri i qëndresës, i dijes dhe i dinjitetit; si filozof, gazetar, autor dhe i burgosur politik, që jetën e tij e lidhi me lirinë dhe me idealin kombëtar shqiptar”, thuhet në telegramin ngushëllues të kësaj qendre.

Më tej theksohet se me veprën e tij letrare dhe studimore, me qëndresën e tij morale dhe me përkushtimin ndaj fjalës së lirë, Beqir Berisha la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Librat e tij dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta, nga aktualiteti kulturor e politik e deri te kujtesa dokumentare e refleksionet filozofike, mbeten dëshmi e një jete të kaluar në shërbim të dijes, identitetit dhe dinjitetit kombëtar e njerëzor.

“Ai ishte gjithashtu mbështetës i madh i Qendrës ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ dhe i kauzës sonë për ngadhënjimin e drejtësisë për gjenocidin e kryer nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Edhe në ditët e vështira të përballjes me sëmundjen, Beqir Berisha nuk iu nda librit dhe kërkimit të së vërtetës. Libri i fundit që lexoi ishte romani i të birit të tij, Bardhyl Mahmuti, “Revolta e Syzifit”, një vepër kushtuar krimit të gjenocidit në Poklek të Vjetër. Ky fakt e bën edhe më të veçantë kujtimin për të. Në këto çaste të rënda dhimbjeje, ndajmë pikëllimin me familjen e tij, me të afërmit, miqtë dhe bashkëveprimtarët e tij si dhe të gjithë shqiptarët që humbën një zë të rëndësishëm të kulturës dhe mendimit shqiptar. Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit Beqir Berisha! Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e tij”, thuhet në telegramin ngushëllues të Qendres “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pedri ka hyrë në historinë e Barcelonës duke thyer një…