Fillon trajnimi për certifikimin e zyrtarëve të punësimit në UP

04 maj 2026 | 10:46

Në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës filloi zyrtarisht trajnimi për certifikimin e zyrtarëve të punësimit, një program gjithëpërfshirës dhe i strukturuar që synon ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e ndërmjetësimit në tregun e punës.

Në ceremoninë e hapjes, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare theksuan rëndësinë strategjike të këtij programi.
Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi angazhimin e vazhdueshëm në UP për lidhje të arsimit me tregun e punës. “Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit të shërbimeve të punësimit dhe fuqizimit të lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës. Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për të mbështetur iniciativa që rrisin cilësinë dhe ndikimin shoqëror të institucioneve publike”, tha prorektorja Gjelaj.

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Muhamet Klinaku, konstatoi se investimi në ngritjen profesionale të zyrtarëve të punësimit është kyç për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë.

Ndërkaq, Vjosa Mullatahiri, menaxhere e komponentës së Programit për Politikat e Tregut të Punës, në Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional. “Ky program demonstron fuqinë e partneritetit ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme dhe moderne të punësimit”, tha Mullatahiri.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga INfaBW, Bernd-Joachim Ertelt dhe Michael Scharpf, treguan se programi i trajnimit ka dimension evropian, pasi sjell standarde të avancuara në këshillimin dhe ndërmjetësimin për punësim, duke kontribuuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe funksionalizimin e tregut të punës.

Trajnimi për certifikimin e zyrtarëve të punësimit do të zhvillohet përgjatë periudhës 20 prill – 3 korrik 2026 dhe përfshin një volum të përgjithshëm prej 300 orësh pune (12 ECTS), duke kombinuar mësimin teorik, ushtrimet praktike, vetëstudimin dhe praktikën profesionale në ndërmjetësim për punësim.

Programi i trajnimit është i strukturuar në disa faza të ndërlidhura që fillojnë me një vlerësim fillestar online për të identifikuar nivelin e pjesëmarrësve, vijojnë me fazën e parë me prani fizike (27-30 prill 2026), ku prezantohen objektivat, struktura dhe kërkesat e programit dhe më pas me një fazë online gjatë muajve maj – qershor me ligjërata dhe ushtrime të fokusuara në temat kyçe të tregut të punës.

Programi vazhdon me fazën e dytë me prani fizike (12 – 15 maj 2026), e përqendruar në etikë, marketing, integrim dhe menaxhim të rasteve, për të përfunduar me praktikën profesionale dhe përgatitjen për provim, që kulmon me kolokviumin përfundimtar në fillim të korrikut.

Përmbajtja e trajnimit bazohet në një qasje multidisiplinare dhe moderne, duke përfshirë teori të këshillimit dhe modele të kërkimit të punës, analizë të tregut të punës dhe politikave të punësimit, diagnostikë dhe këshillim profesional, menaxhim të burimeve njerëzore dhe bashkëpunim me punëdhënësit, menaxhim të rrjeteve dhe akterëve, si dhe trajtimin e aspekteve ligjore e etike të ndërmjetësimit në punësim, integrimin në tregun e punës dhe përfshirjen sociale, si dhe transformimet digjitale në kuadër të botës së punës 4.0.

Trajnimi për certifikimin e zyrtarëve të punësimit përfaqëson një iniciativë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në Kosovë. Nëpërmjet një programi të strukturuar, përmbajtjeje bashkëkohore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ky aktivitet synon të kontribuojë për rritjen e cilësisë së shërbimeve të punësimit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Fahrije Hoti,…