Kushtet e Mourinhos për rikthim te Real Madridi
Jose Mourinho mbetet një emër gjithnjë e më i përmendur në orbitën e Real Madridit, ndërsa në Spanjë vazhdojnë të qarkullojnë raportime për një rikthim të mundshëm të tij në “Santiago Bernabéu”.
Sipas “Mundo Deportivo”, ideja e kthimit të “Special One” nuk është thjesht spekulim, por një opsion që po diskutohet seriozisht brenda klubit madrilen, sidomos në kuadër të planifikimit për sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, rikthimi i Mourinhos nuk do të ishte i thjeshtë dhe do të shoqërohej me disa kushte të rëndësishme.
Trajneri portugez, i cili aktualisht është nën kontratë me Benfican, nuk pritet të largohet lehtë dhe çdo marrëveshje do të varej nga disa faktorë kyç: projekt i qartë sportiv, mbështetje e plotë nga drejtuesit e klubit dhe kontroll i fortë mbi vendimet kryesore të skuadrës.
Burime pranë situatës theksojnë se Mourinho kërkon garanci për një projekt konkurrues menjëherë, pa periudhë tranzicioni, si dhe një rol të plotë në ndërtimin e skuadrës dhe menaxhimin e dhomës së zhveshjes.
Nga ana tjetër, presidenti Florentino Pérez thuhet se e sheh Mourinhon si një opsion të fortë për ta rikthyer autoritetin dhe disiplinën në skuadër, duke e marrë parasysh eksperiencën e tij të mëparshme te Real Madridi, ku fitoi trofe dhe la një gjurmë të thella në klub.
Megjithatë, brenda klubit ekzistojnë edhe zëra skeptikë, të cilët e vënë në dyshim nëse profili i tij i sotëm përputhet me projektin afatgjatë të Real Madridit.
Për momentin, situata mbetet e hapur dhe pa vendim përfundimtar, ndërsa emri i Mourinhos vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta rreth bankinës madrilene.



