Tirana mirëpriti Kongresin botëror të ligjit, Rama: Besnik ndaj vendimit historik për ta ndarë politikën nga drejtësia

10 maj 2026 | 10:43

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në podcastin “Flasim” për Kongresin Botëror të Ligjit që u mbajt në Tiranë gjatë kësaj jave.

Rama është shprehur se “Kongresi Botëror i Ligjit që nuk do të vinte kurrë në Shqipërinë e deri disa vite më parë sepse nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste dhe të referonte nga ky vend për sundimin e ligjit”.

“Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria bëhet mikpritëse.

Diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë, sepse kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin, kjo nuk është thjesht një ngjarje për zhvillimin ekonomik, kjo nuk është thjesht një ngjarje për të mbledhur bashkë ekspertë të një fushe apo të një fushe tjetër për të folur për një sektor, kjo është një ngjarje që përcakton një epokë që përcakton hapjen e një epoke tanimë të konfirmuar nga respekti i platformës së Kongresit Botëror të ligjit që nuk do të vinte kurrë në Shqipërinë e deri disa vite më parë sepse nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste dhe të referonte nga ky vend për sundimin e ligjit, përkushtimin e shteteve demokratike ndaj sundimit të ligjit dhe për vullnetin e shumicave qeverisëse për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe fakti që Tirana zgjidhet sot për të mbledhur figura kaq të rëndësishme në fushën e së drejtës, juristë, ekspertë, protagonistë të betejës për të drejtën në historinë tonë bashkohore lidhet pikërisht me konfirmimin e këtij transformimi”.

“Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t’ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët”, ka thënë Rama. /Top Channel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid është në kërkim të një mbrojtësi qendre të…