Zgjedhjet e 7 qershorit, sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim
Listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.
Sot (e diel), më 10 maj në orën 24:00, KQZ-ja do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë një ditë më herët për “Ekonomia Online” se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.
“Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, ka thënë Elezi.
Ndërsa dy ditë më pas, deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike kanë kohë për të dorëzuar online në KQZ listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend.
“Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike. Nga këto, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme.
Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë:
- Partia Socialdemokrate
- Kosovaki Nevi Romani Partia
- Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve
- Za Slobodu Pravdu i Opstanak
- Srpska Lista
- Yenilikçi Türk Hareket Partisi
- Lidhja Demokratike e Kosovës
- Fjala
- Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës
- Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK
- Socialdemokratska Unija
- Jedinstvena Goranska Partija
- Kosova Demokratik Türk Partisi
- Nova Demokratska Stranka
- Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës
- Kosovski Savez
- Partia Balliste
- Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale
- Partia Liberale Egjiptiane
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
- Stranka Demokratske Akcije dhe
- Partia Demokratike e Kosovës.
Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë:
- Partia Demokratike e Unitetit
- Balli Kombëtar i Kosovës
- Lëvizja Qytetare Vatra
- Bashkimi për Ndryshim Anamorava
- Partia e Drejtësisë
- Srpski Narodni Pokret
- Partia Reforma Demokratike
- Aleanca Kosova e Re
- Nisma Socialdemokrate.
Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit:
- Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);
- Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar)
- Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).



