Gashi sërish kandidat për deputet: Më 7 qershor së bashku e përcaktojmë të ardhmen e Kosovës
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se do të kandidojë sërish për deputet.
Ai ka thënë se për kandidat për deputet e ka Dega e LDK-së në Pejë dhe një degë e partisë në Prishtinë.
“Me propozim të Degës së LDK-së në Pejë dhe Degës IV të LDK-së në Prishtinë, jam kandidat edhe për një mandat për deputet në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Gashi është zotuar se do të vazhdojë “në mbrojtje të vlerave politike, të sistemit demokratik”.
“Falënderoj strukturat e LDK-së, votuesit dhe qytetarët e Kosovës për besimin e vazhdueshëm ndaj meje. Ju garantoj se do të vazhdoj me përkushtim në mbrojtje të vlerave tona politike, të sistemit demokratik dhe të besimit qytetar, për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe të përhershme. Më 7 qershor është momenti kur së bashku e përcaktojmë të ardhmen e Kosovës. Na priftë e mbara!”, ka shkruar Gashi.



