Historia tragjike e ‘pacienti zero’ me hantavirus
Është identifikuar si Leo Schilperoord “pacienti zero” i shpërthimit të hantavirusit në një anije kroçiere, një histori tragjike që lidhet me pasionin e tij për vëzhgimin e shpendëve.
Ornitologu 70-vjeçar dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeçe, ndodheshin prej pesë muajsh në një udhëtim në Amerika e Jugut.
Sipas mediave italiane, çifti kishte udhëtuar fillimisht në Argjentina, më pas në Kili dhe Uruguai, për t’u rikthyer sërish në Argjentinë në fund të marsit, ku morën pjesë në një ekskursion për vëzhgimin e zogjve.
Autoritetet argjentinase dyshojnë se çifti është infektuar pranë një vendgrumbullimi mbetjesh në Ushuaia, pasi mund të kenë thithur grimca të kontaminuara nga jashtëqitjet e minjve bartës të variantit “Andes” të hantavirusit, një nga format më të rrezikshme të virusit.
Më 1 prill, çifti hipi në anijen turistike MV Hondius së bashku me mbi 100 pasagjerë të tjerë, shumë prej tyre studiues dhe entuziastë të natyrës.
Pak ditë më vonë, Leo Schilperoord shfaqi simptoma si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Ai ndërroi jetë në bordin e anijes pesë ditë pas shfaqjes së simptomave.
Bashkëshortja e tij zbriti nga anija në ishullin Santa Helena dhe më pas udhëtoi drejt Johanesburg për t’u kthyer në Holanda. Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë udhëtimit dhe ajo humbi jetën një ditë pasi u rrëzua në aeroport.
Rasti ka ngritur shqetësime për përhapjen e hantavirusit “Andes”, i cili konsiderohet forma e vetme e njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.



