Dhomat e Specializuara: Interpretimet e raportit të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit janë të pasakta

11 maj 2026 | 12:46

Dhomat e Specializuara i kanë quajtur të pasakta disa nga interpretimet e raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i cili u bë me kërkesë të Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës.

Në një reagim të publikuar sot në faqen zyrtare thuhet se në raport nuk është konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve.

Po ashtu, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit gjithashtu nuk konstatohet asnjë shkelje e konventave të të drejtave të njeriut në vendimet në lidhje me paraburgimin”, thuhet në reagim.

Para më shumë se një jave, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas Qelaj ky raport ka konstatuar shqetësime serioze. Qelaj ka thënë se mes tjerash dokumenti konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.

Raporti është hartuar nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë angazhuar ekspertë britanikë me kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit, pas shqetësimeve për mos respektim të standardeve për të drejtat e njeriut.

Në reagimin e publikuar thuhet se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë institucion gjyqësor i pavarur dhe sipas tyre, as Avokati i Popullit i Kosovës, as Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk e kanë të drejtën e paraqitjes së parashtrimeve në Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara tutje vlerësojnë se disa interpretime të raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, të bëra nga Avokati i Popullit i Kosovës, janë në mospërputhje me raportin, nuk pasqyrojnë saktë përmbajtjen dhe përfundimet e raportit, dhe rrjedhimisht krijojnë një imazh të rremë të Dhomave të Specializuara.

Gjithashtu, thuhet se është vërejtur gjithashtu se një numër aspektesh të ngritura nga Avokati i Popullit i Kosovës, të diskutuara në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, janë kryesisht përsëritje e argumenteve të paraqitura nga Mbrojtja para gjykatësve të Dhomave të Specializuara.

Nga ana tjetër, sipas tyre, raporti nuk pasqyron në mënyrë të njëjtë argumentet gjegjëse të paraqitura nga Prokuroria apo nga Mbrojtja e Viktimave.

“Në veçanti, në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit pranohet se të akuzuarit në Dhomat e Specializuara kanë në dispozicion mjete juridike, dhe se një numër aspektesh janë aktualisht objekt i kontestimeve juridike dhe mund të rishikohen në apel”, thuhet në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë rritur kërkesat brenda PDK-së që Fatmir Limaj të kthehet…