Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.
Sipas të dhënave të KQZ-së, të publikuara të mërkurën, deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar 67 685 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 61 500, ndërsa 5 858 janë refuzuar dhe 301 janë ende në shqyrtim.
Nga aplikimet e aprovuara, 14 566 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1 605 kanë zgjedhur të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 45 329 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë vendit.



