Thaçi për zgjedhjet e 7 qershorit: Në listat e partive ka kandidatë me aktakuza
Juristi, Emrush Thaçi, thotë se sistemi me lista të hapura në zgjedhje në Kosovë është pozitiv për demokracinë dhe u jep qytetarëve mundësinë të zgjedhin kandidatët që preferojnë, pavarësisht renditjes së tyre në listat zgjedhore.
Megjithatë, Thaçi, i ftuar në “FIVE” ka ngritur shqetësime pasi siç thotë ai në listat e katër partive parlamentare ka figura me aktakuza dhe nën hetime, duke shtuar se kjo mbetet problematike për standardin e përfaqësimit politik.
Sipas tij, edhe pse legjislacioni në Kosovë ua mundëson kandidimin personave në këto rrethana, integriteti i kandidatëve duhet të mbështetet mbi pastërtinë personale dhe politike.
“Në Kosovë listat e hapura lënë për të kuptuar që në rrethana politike të shëndosha janë shumë të mira për arsye se qytetarët pavarësisht numrit kanë kënd të zgjedhin. Ne që dy vite në Kosovë na u është bërë jeta zgjedhje edhe çdo 6-muaj kemi zgjedhje dhe normalisht kemi vërejtjet tona sa i përket listave dhe brenda listave të katër partive parlamentare ka figura me aktakuza e nën hetime edhe pse legjislacioni në Kosovë ua mundësojnë që të kandidojnë por nuk e di sa është e qëlluar kjo pasi integriteti personal i një kandidati duhet të jetë i ndërtuar mbi bazën e pastërtisë. Në kuadër të të gjitha partive kemi kandidatë që kanë aktakuza dhe në zgjedhjet paraprake kemi pasur të tillë e po ashtu në zgjedhjet e kaluara kemi pasur kandidatë që kanë keqpërdorur vota të qytetarëve gjatë rinumërimit dhe edhe aty është dashur të bëhet një korrigjim nga partitë politike dhe do të duhej të bëhej pastrimi i listave”, u shpreh Thaçi.



