Haradinaj: Sipërmarrësit tanë janë shtylla e ekonomisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, me përfaqësuesit e bizneseve, me të cilët diskutuan për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe për rolin e diasporës në forcimin e ekonomisë tonë dhe mbështetjen që u duhet bizneseve vendore.
“Sipërmarrësit tanë janë shtylla e ekonomisë, krijojnë vende pune, mbajnë familje dhe i japin vendit shpresë përmes punës dhe guximit për të investuar e krijuar. Aleanca ka qëndruar gjithmonë krah tyre, sepse besojmë se nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë dhe pa mbështetje për bizneset. Prandaj, programi ynë për zgjedhjet që po vijnë fokusohet në fuqizimin e ekonomisë vendore, lehtësirat fiskale, digjitalizimin dhe krijimin e një klime më të mirë për investime të huaja. Këtë program do ta jetësojmë me kandidatin tonë për kryeministër, Ardian Gjinin”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Haradinaj ka theksuar gjithashtu se siguria është parakusht për zhvillim ekonomik dhe se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik për një Kosovë më të sigurt dhe më atraktive për investime.
“Diaspora dhe bizneset shqiptare në botë mbeten ura jonë me tregjet dhe përvojat më të mira ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë është rruga për Kosovën që ecën përpara”, ka shkruar Haradinaj.



