OVLUÇK-ja: Ajo që ndodhi në Skenderaj ishte skenar i porositur nga Kurti dhe banda e tij, diktatura mori fund në qershor të vitit 1999
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur një takim urgjent ku është diskutuar për “përkeqësimin e klimës së sigurisë” pas angazhimit të njësive speciale në një incident ka ndodhur n ë Skenderaj, të cilin e ka cilësuar si “zënkë të zakonshme e pa pasoja të rënda”.
OVLUÇK-ja ka thënë se strukturat e sigurisë së Kosovës “ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët dhe rendin kushtetues, e jo të marrin pjesë në shtetrrethime e ngjallje të frikës”.
Ata u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që “të mos harrojnë se mandati i tyre buron nga Kushtetuta dhe ligjet, e jo nga urdhrat qeveritare në dobi të zbatimit të skenarëve të porositur nga Albini Kurti dhe banda e tij”.
“Të jemi të qartë. Strukturat e sigurisë së Republikës ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët dhe rendin kushtetues, e jo të marrin pjesë në shtetrrethime e ngjallje të frikës. Me këtë rast u drejtohemi pjesëtarëve të Policisë të mos harrojnë se mandati i tyre buron nga Kushtetuta dhe ligjet, e jo nga urdhrat qeveritare në dobi të zbatimit të skenareve të porositura nga Albini Kurti dhe banda e tij”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
Sipas këtij reagimi, “nëse uniforma e Kosovës kthehet në instrument për të vendosur tiraninë e regjimit, atëherë përpos urdhërdhënësve, përgjegjësia bëhet edhe personale”.
OVLUÇK-ja ka deklaruar gjithashtu se “në mbrojtje të lirisë, demokracisë e rendit kushtetues, me çdo mjet do të pengojmë secilin individ apo organizim politik që tenton të vendos diktaturën”.
Kjo organizatë ka thënë se “diktatura mori fund në qershor të vitit 1999” dhe shtoi se janë “të gatshëm gjithmonë të sakrifikohen në mbrojtje të lirisë dhe shtetit”.
“Kushdo që tenton ta vë këtë realitet në provë, le të urdhërojë. Këtu jemi. Të gatshëm gjithmonë të sakrifikohemi në mbrojtje të lirisë dhe shtetit që ka në themele mundin e luftëtarëve e gjakun e dëshmorëve të UÇK-së”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.



