Dega e PDK-së në Baden-Württemberg mobilizohet për regjistrimin e mërgimtarëve për votim
Dega e Partia Demokratike e Kosovës në Baden-Württemberg ka nisur një angazhim të gjerë në terren për të ndihmuar qytetarët shqiptarë në Gjermani që të regjistrohen për votim në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas njoftimit të degës, aktiviteti po udhëhiqet nga kryetarja Lindita Haxhiu Zeqiri, së bashku me nënkryetarët Blerim Behrami dhe Ekrem Rama, si dhe nga kryetari i Shtabit Zgjedhor për Baden-Württemberg, Kushtrim Hadergjonaj.
Në këtë angazhim po japin mbështetje edhe afaristët Agron Zeneli dhe Albert Bucolli, të cilët, bashkë me aktivistët e degës, po zhvillojnë takime derë më derë dhe po organizojnë ekipe mobile për të regjistruar sa më shumë mërgimtarë për votim.
Nga Dega e PDK-së në Baden-Württemberg është bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm të aktivistëve dhe simpatizantëve, duke theksuar se zgjedhjet parlamentare në Kosovë kërkojnë angazhim maksimal të diasporës shqiptare.
“Duke pasur parasysh se koha për regjistrim është shumë e shkurtër, ftojmë të gjithë aktivistët dhe simpatizantët që të ndihmojnë njëri-tjetrin në procesin e regjistrimit dhe më pas në votim. Vetëm përmes bashkëpunimit, komunikimit dhe organizimit të mirë mund të arrijmë rezultate të kënaqshme dhe ta rrisim numrin e votuesve për PDK-në në Baden-Württemberg”, thuhet në thirrjen e degës.
Në fund, Kryesia e Degës së PDK-së në Baden-Württemberg ka uruar suksese për të gjithë aktivistët dhe qytetarët e angazhuar në këtë proces.




