Rrahje me armë e thika te palestra “Ereniku” në Junik

16 maj 2026 | 11:06

Një përleshje mes disa të rinjve, ku dyshohet se janë përdorur armë dhe thika, ka alarmuar mbrëmjen e së enjtes Junikun, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur më 15 maj 2026 rreth orës 19:45 te parkingu i Palestrës Sportive “Ereniku” në lagjen Qestaj.

Sipas informatave, Policia kishte pranuar informatën se disa persona po rriheshin dhe se në vendngjarje dyshohej për armë zjarri.

Sinjali mëson se patrulla policore kishte dalë menjëherë në lokacion, por të përfshirët ishin larguar para arritjes së Policisë.

Në vendngjarje janë gjetur:dy gëzhoja të zbrazëta, ndërsa më pas janë konfiskuar edhe armë e thika.

Burimet bëjnë të ditur se më vonë Policia Kufitare në Ponoshec kishte ndaluar një veturë BMW me katër persona, ku njëri prej tyre ishte i lënduar në fytyrë.

Të dyshuarit e përfshirë në rast janë: Lorent Demiri, rreth 20-vjeçar, Rinor Salihi, rreth 20-vjeçar, Martin Prendi, rreth 20-vjeçar, Lorent Bajraktari, rreth 19-vjeçar, Elton Tofaj, rreth 19-vjeçar dhe Taulant Nrejaj, rreth 20-vjeçar.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit janë konfiskuar:dy thika, një armë “Zoraki”, një pistoletë “Zoraki 917-T”, karikatorë, fishekë kalibër 7.65 mm, dhe dy gëzhoja.

Njëri nga të dyshuarit ishte dërguar fillimisht në Emergjencën e Gjakovës për trajtim mjekësor dhe më pas është kthyer në stacion policor.

Pas intervistimeve dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit:tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprat: “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin…