110-shi i AAK-së, Durim Halilaj: “Në financa numrat ose prodhojnë zhvillim, ose zbulojnë dështimin”
Financieri kryesor i Komunës së Gjakovës, Durim Halilaj, i cili gjatë qeverisjes së Ardian Gjinit nuk është përballur me asnjë skandal publik, i është bashkuar garës për deputet në radhët e AAK-së, ku mban numrin 110 në listën zgjedhore.
Pas kandidimit për deputet, Halilaj ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve ekonomike në vend, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po paraqiten shifrat ekonomike nga Qeveria.
“Në financa nuk mund ta manipulosh realitetin me slogane. Numrat ose prodhojnë zhvillim, ose zbulojnë dështimin”, ka deklaruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të kandidatit me numër 110 nga AAK-ja, Durim Halilaj, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit garon në listën e udhëhequr nga kandidati për kryeministër i AAK-së, Ardian Gjini, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës.
“Të dashur bashkëqytetarë,
Në një kohë kur politika po matet me propagandë, me zhurmë dhe me statistika të bukura, qytetari vazhdon të jetojë me pasiguri, me çmime të larta dhe me mungesë perspektive. Kjo është arsyeja pse besoj se Kosovës sot nuk i mungojnë fjalët, por i mungon veprimi.
Kam punuar vite të tëra me buxhete, planifikime afatgjata dhe përgjegjësi konkrete. Në financa nuk mund ta manipulosh realitetin me slogane. Numrat ose prodhojnë zhvillim, ose zbulojnë dështimin.
Përderisa shtetet e tjera ecin përpara me zhvillim ekonomik dhe integrim evropian, ne vazhdojmë të humbim kohë me kriza politike të pafundme. Shteti nuk mbahet me konferenca për media dhe statistika. Shteti mbahet kur qytetari e ndien zhvillimin në jetën e vet.
Etika ndaj punës dhe shërbimi ndaj vendit duhet të jenë parim dhe prioritet, jo gara për poste, privilegje dhe rehati personale. Posti nuk është tapi politike dhe as borxh që qytetarët ua kanë politikanëve. Një politikan i mirë i ka borxh vendit të vet punë dhe përgjegjësi.
Rruga jonë është e trasuar nga lideri historik i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili na mësoi se Kosova kurrë nuk dorëzohet dhe se sfidat përballohen me guxim, vizion dhe vendosmëri.
Sot, nën udhëheqjen e Ardian Gjinit, me vizionin dhe largpamësinë e tij, besoj fuqishëm se Kosova mund të hyjë në një etapë të re zhvillimi, stabiliteti dhe dinjiteti shtetëror.
Prandaj kam vendosur të rikandidoj si deputet në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Jo për të qenë pjesë e politikës së zakonshme që prodhon stagnim dhe përçarje, por sepse besoj se ka ardhur koha që fokusi të zhvendoset te zhvillimi ekonomik, te reformat dhe te ndërtimi i një shteti funksional. Sepse heshtja përballë stagnimit është bashkëfajësi.”
Ardian Gjini – 1 ✅
Durim Halilaj – 110 ✅




