Rudiger nuk do të largohet nga Real Madridi
Mbrojtësi gjerman Antonio Rudiger pritet ta vazhdojë aventurën me gjigantin spanjoll Real Madrid, pasi ka pranuar zyrtarisht ofertën e klubit për rinovimin e kontratës.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “AS”, Rudiger ka dhënë “dritën jeshile” për ta vazhduar qëndrimin e tij në “Santiago Bernabéu”, duke u bërë pjesë e projektit të “Los Blancos” edhe për të paktën një sezon tjetër, transmeton “Klankosova.tv”.
Qendërmbrojtësi gjerman ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Real Madridit që prej ardhjes së tij në klub, duke fituar besimin e stafit teknik dhe duke u shndërruar në një element të pazëvendësueshëm në formacion.
Fillimisht Rudiger kishte kërkuar një kontratë dyvjeçare për të siguruar më gjatë të ardhmen e tij në Madrid, megjithatë në fund ka pranuar politikën e klubit spanjoll, i cili zakonisht pëlqen rinovime më afatshkurtra për futbollistët me moshë dhe përvojë më të madhe. Me këtë vendim, Real Madridi siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në repartin defensiv, ndërsa Rudiger mbetet i fokusuar në objektivat e mëdha të klubit në garat vendore dhe ato evropiane.



