Nga 3 000 në 500 euro, Vitia nënshkruan udhëzimin e ri administrativ për specializime

20 maj 2026 | 15:52

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për shkollimin specialistik, duke prezantuar tri politika të reja për profesionistët shëndetësorë.

Sipas Vitisë, ndryshimet përfshijnë uljen e tarifës për specializim për qytetarët nga viset shqiptare, mbështetje për specializantet në pushim të lehonisë dhe ndryshim të kritereve për përvojën e punës. “Sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për shkollimin specialistik, me tri politika të reja në mbështetje të profesionistëve shëndetësorë”, ka shkruar Vitia.

Ai bëri me dije se kandidatët nga viset shqiptare, të cilët deri më tani paguanin 3 mijë euro në vit për specializim, tashmë do të paguajnë 500 euro, sa edhe qytetarët e Kosovës. “Qytetarët nga të gjitha viset shqiptare, që deri tash kanë paguar 3000 euro në vit për specializim, tash do të paguajnë vetëm 500 euro, njëjtë si qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Një tjetër ndryshim lidhet me specializantet që janë në pushim të lehonisë. “Për herë të parë, specializanteve që do të jenë në pushim të lehonisë do t’u vazhdohet pagesa pas kthimit në specializim”, ka theksuar Vitia.

Po ashtu, ministri në detyrë njoftoi se përvoja njëvjeçare e punës nuk do të jetë më kriter eliminues, por vetëm kriter poentues në procesin e specializimit. “Përvoja 1-vjeçare e punës tashmë do të jetë vetëm kriter poentues”, ka bërë me dije ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çlirim Gjuraj nga Gërqina e Gjakovës, shpall të pavlefshme dëftesën…