Ardian Gjini: Rinia e Kosovës po kërkon zgjidhje reale, jo premtime boshe
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Deçan, ku tha se diskutimet me rininë janë gjithmonë të drejtpërdrejta dhe përmbajtësore, duke prekur çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët e vendit.
Përmes një postimi publik, Gjini u shpreh se kudo në Kosovë po takon të rinj me energji dhe vizion, ndërsa diskutimet me ta fokusohen në tema konkrete që lidhen me të ardhmen e vendit.
“Rinia nuk bën pyetje të lehta; ata prekin drejtpërdrejt çështjet që rëndojnë mbi secilin qytetar të vendit tonë”, u shpreh ai, duke vlerësuar rolin e të rinjve si zë i rëndësishëm në orientimin e politikave publike.
Sipas Gjinit, vullneti dhe kërkesat e të rinjve duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për mënyrën se si duhet të qeveriset Kosova, ndërsa ritheksoi zotimin për punë konkrete dhe projekte që adresojnë nevojat reale të qytetarëve.



