Mbi 100 milionë euro për Alvarezin, por Barcelona ka gati formulën e re të transferimit
Barcelona po intensifikon përpjekjet për transferimin e Julian Alvarez, me klubin katalanas që synon ta bëjë sulmuesin e Atletico Madridit objektivin kryesor për repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të verës.
Eksperti i afatit kalimtar, Matteo Moretto, ka zbuluar se drejtuesit e Barçës janë të gatshëm të bëjnë një lëvizje serioze për argjentinasin në javët e ardhshme.
“Barcelona dëshiron që ai të jetë plani A për sulmin. Klubi planifikon të kontaktojë Atleticon dhe agjentin e lojtarit. Atletico kërkon mbi 100 milionë euro, ndërsa Barça po shqyrton mundësinë e përfshirjes së disa lojtarëve në marrëveshje për të ulur koston e transferimit”, deklaroi Moretto.
Sipas tij, Alvarez ndihet i lumtur në Madrid dhe është përshtatur shumë mirë te Atletico, por interesimi i Barcelonës mbetet konkret dhe i fortë.
Moretto shtoi gjithashtu se Joao Pedro është një tjetër alternativë që po monitorohet nga katalanasit për repartin ofensiv, megjithatë prioriteti kryesor vazhdon të jetë Alvarez.
Raportimet e mëhershme nga i njëjti gazetar sugjerojnë se sulmuesi argjentinas do ta konsideronte Barcelonën si destinacionin e tij të preferuar në rast se vendos të largohet nga Atletico Madrid.



