Haradinaj: Kosova s’është mirë, duhet bërë më e mira për ta nxjerrë nga kjo gjendje
Në hapjen e fushatës së Aleancës në Gjakovë, ish-kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, deklaroi se gjendja në Kosovë nuk është e mirë dhe bëri thirrje për angazhim të përbashkët për ta ndryshuar atë.
Sipas tij, secili qytetar duhet të japë maksimumin për ta nxjerrë vendin nga situata aktuale.
“Kosova nuk është mirë dhe secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën që di për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje”, u shpreh Haradinaj.
Ai foli edhe për kandidatin e Aleancës për kryeministër, Ardian Gjinin, për të cilin tha se gëzon besimin e tij të plotë.
Haradinaj theksoi se Gjini përfaqëson vlerat më të mira të Gjakovës dhe se është figurë që, sipas tij, i bën krenarë shqiptarët kudo që ndodhen.
“Besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë duke ia besuar kandidaturën për kryeministër Ardian Gjinit. Jam rritur me të dhe e njoh nga afër. Ai jo vetëm që përfaqëson denjësisht Gjakovën, por krenon gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar”, deklaroi Haradinaj.



