Drita shpallet kampione, Llapi shkon në barazh, Ferizaj e Prishtina e Re bien nga liga
Me ndeshjet e javës së 36-të është mbyllur edicioni 2025/26 i Albi Mall Superligës së Kosovës, duke sjellë verdiktet përfundimtare të një sezoni tejet interesant dhe konkurrues.
Malisheva realizoi suksesin më të madh në historinë e klubit, duke e përfunduar kampionatin në pozitën e dytë dhe duke u shpallur nënkampione e Kosovës për herë të parë.
Skuadra nga Malisheva e vulosi këtë arritje me një fitore spektakolare ndaj kampiones Drita, me rezultat 3:2. Edhe pse gjilanasit krijuan epërsi në pjesën e parë me golat e Oniks Grezdës dhe Mike Artur, vendasit reaguan fuqishëm në vazhdim. Mevlan Zeka ishte figura kryesore e ndeshjes me dy gola të realizuar, ndërsa golin tjetër për Malishevën e shënoi Besnik Ferati.
Në Klinë, Dukagjini e mbylli sezonin me fitore minimale ndaj Ballkanit. Golin e vetëm të takimit e realizoi Mërgim Pefqeli, duke i siguruar skuadrës tri pikët e fundit të këtij edicioni.
Ndeshje me pesë gola u zhvillua edhe në Gjilan, ku vendasit triumfuan ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3:2. Për Gjilanin realizuan Armend Thaqi, Blerind Morina dhe Senad Jaroviq, ndërsa te mysafirët golashënues ishin Rion Rushiti dhe Astrit Berisha.
Fitore me peshë të madhe siguroi edhe Drenica, e cila në stadiumin “Fadil Vokrri” mposhti Prishtinën me rezultat 2:1. Albin Krasniqi realizoi për kryeqytetasit, derisa Iqballa Jashari dhe Indrit Prodani shënuan golat që i siguruan skuadrës skenderajase mbijetesën në elitë.
Ndërkohë, Llapi triumfoi ndaj Ferizajt me rezultat 3:2, por pavarësisht tri pikëve të fituara, skuadra nga Podujeva nuk arriti ta shmangë barazhin dhe do të kërkojë mbetjen në Superligë përmes ndeshjes shtesë kundër Dinamos.



